E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, aksidentohen rëndë dy shtetas kosovarë

Dy shtetas nga Kosova kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit të djeshëm, kur mjeti tip “Opel” me targë 541 KS 115, që drejtohej nga shtetasi Filzen Muça, 31 vjeç nga Theranda, në afërsi të shkollës së Morinit, vetëm rreth një kilometër nga dogana, ka dalë nga rruga duke rënë disa metra poshtë. Si pasojë, ka mbetur i plagosur rëndë drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri tjetër, Shifran Haxhia, 21 vjeç, edhe ky nga Theranda. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forcat e policisë që patrullojnë pa ndërprerje këtë aks rrugor, të cilët kanë dërguar në spitalin civil të qytetit të plagosurit, të cilët pas ndërhyrjes kirurgjikale, bëhet e ditur se janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, nga hetimet paraprake mendohet se shkaku i aksidentit ka qenë pagjumësia e drejtuesit të mjetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›