Rindërtohet shkolla “Misto Mame”
Një tjetër shkollë e standardeve evropiane u vihet në dispozicion nxënësve të njësisë bashkiake numër 8 në kryeqytet. Shkolla “Misto Mame”, e cila gjendet në “Rrugën e Dibrës”, pranë Medresesë, i është nënshtruar një rindërtimi të plotë dhe ka kushtuar rreth 850 mijë euro, falë një kredie të akorduar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.
Në ceremoninë e përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e kësaj shkolle, kryetari i Bashkisë, Edi Rama, u shpreh: “Në këtë qytet që për të gjithë shqiptarët është bërë qyteti i së ardhmes, ne po ndërtojmë rrjetin e shkollave të reja të së ardhmes, ku çdo prind mund ta çojë fëmijën, me bindjen së ëndrrat dhe dëshirat e tij më të mëdha për fëmijën janë të mundshme. Dhe ashtu siç po bëjmë sot në Tiranë, ku po ndërtojmë jo vetëm qytetin dhe shkollat e së ardhmes, të njëjtën gjë do të bëjmë nesër në të gjithë Shqipërinë, duke ndërtuar edhe shoqërinë e së nesërmes, ku nuk do të ketë asnjë qytet dhe asnjë fshat ku fëmijët të mos mund të realizojnë dëshirat dhe të plotësojnë ëndrrat e tyre”.
Pas prishjes në themel të objektit të vjetër ekzistues, shkolla “Misto Mame” tani gjendet plotësisht e ndryshuar me një arkitekturë të re, në një godinë 4-katëshe. Shkolla ka një kapacitet prej 700 nxënësish dhe përmban të gjitha mjediset e nevojshme për zhvillimin e mësimit në kushte bashkëkohore.