E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen të njohë të birin, e takon për herë të parë në burg

E papritura

Takim i shumëpritur në një vend po të pazakontë. Takon babanë për herë të parë pas 18 vjetësh dhe kjo për fat të keq të tij ndodh në qelitë e paraburgimit. E priste prej vitesh të atin, qysh prej kohës që mësoi kush ishte, ku jetonte dhe arsyet pse nuk e kishte takuar më parë. Më parë kontakti ishte vetëm telefonik, këtë vit pritej të takoheshin fizikisht. Por, për fat të keq të Reit, ai ndodhi aty ku ai nuk e kishte çuar kurrë nëpër mend, aty ku nuk do donte ta njihte kurrë i ati, në ambiente burgu. Rei e përcjell me mjaft emocion ditën e takimit me babanë, i cili jetonte prej 18 vitesh në Amerikë, dhe ishte larguar në 2 korrik të vitit ‘90 kur shumë shqiptarë hynë me dhunë në ambasada për t’i shpëtuar regjimit në të cilin ndodheshin, kur nëna e tij ishte shtatzënë. Rei Karapici, 18 vjeç, është një ndër personat e arrestuar me grupin “Matrix 4”, ndërkohë që ëndrrat që kishte thurur ishin të ndryshme krahasuar me rrjedhën që morën ngjarjet e ditëve të fundit. Megjithatë, babait të tij i ka bërë një premtim, se do nisë gjithçka nga e para kur të dalë nga burgu. Është i shkëlqyer në elektronikë dhe shpreson që zgjuarsinë dhe talentin ta përdorë kur të dalë për të bërë gjëra të bukura, për t’u bërë ai që ëndërrojnë edhe prindërit e tij. Madje, shpreson që kjo e keqe të sjellë një të mirë për prindërit e tij, të jetojnë sërish bashkë, duke qenë se asnjë prej tyre nuk ka lidhur jetën me dikë tjetër. Kjo është një tjetër ëndërr e Reit...

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›