Avokatura e Shtetit shpall konkursin për të përzgjedhur 15 juristë
Laureta Rryçi
Tiranë - Avokatura e Shtetit është në prag të reformimit duke kërkuar të zëvendësojë përfaqësuesit e Avokaturës së Shtetit në të gjitha prefekturat e vendit. Burime pranë këtij institucioni shpjeguan dje për gazetën “Albania” se tashmë janë përcaktuar kriteret për të gjithë kandidatët që duan të jenë pjesë e këtij institucioni. Specialistët kanë hartuar që kandidatët që do të përzgjidhen më parë do t’i nënshtrohen një sërë testeve dhe trajnimeve afatgjata. Konkursi do të organizohet më 15 janar, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Që ditën kur në krye të këtij institucioni u emërua Eduard Halimi, ky i fundit deklaroi se reformimi ishte nisma e parë që do të ndërmerrte.
Konkursi
Avokatura e Përgjithshme e Shtetit, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe në kuadrin e projektit ¨Mbështetje për forcimin dhe konsolidimin e Avokaturës Shqiptare të Shtetit¨, financuar nga AECID dhe Ambasada e Spanjës në Tiranë, organizon konkursin më datë 15.01.2009, ora 09:00, në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë. Në fazën e parë të konkursit për pranim në Avokaturën e Shtetit për 15 pozicione në zyrën vendore Tiranë dhe pranë ministrive. Regjistrimet kanë nisur të kryhen nga data 16 dhjetor 2008 deri më 13 janar 2009, pranë Zyrës së Protokollit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit. Programi i konkursit përmban lëndët: E Drejta Civile, E Drejta Procedurale Civile, E Drejta Kushtetuese dhe E Drejta Administrative. Tërheqja e programit do të bëhet pranë Zyrës së Protokollit të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.
Kriteret
Në bazë të Nenit 20 të Ligjit Nr. 10018, datë 13.11.2008, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2009, kushtet për t’u emëruar Avokat i Shtetit kanë ndryshuar. Avokat i Shtetit mund të emërohet çdo shtetas shqiptar, që plotëson kushtet e mëposhtme: të ketë përfunduar studimet e larta për drejtësi; të ketë një përvojë pune në praktikën gjyqësore ose administrative prej të paktën 5 vitesh;
të mos jetë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale ose të mos jetë larguar nga shërbimi civil apo çdo funksion tjetër publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave; të mos jetë në kushtet e konfliktit të interesit, sipas dispozitave të këtij ligji; të kalojë me sukses procesin përzgjedhës përkatës për pozicionin e Avokatit të Shtetit. Në rastin e shtetasit shqiptar, të diplomuar për drejtësi, me rezultate të larta, në universitete të njohura të huaja, apo të diplomuar në shkolla pasuniversitare, ekuivalente me Shkollën e Magjistraturës, kushti i përvojës në punë është të paktën tre vjet. Procesi përzgjedhës do të përfshijë tri faza sipas Nenit 21 të ligjit “Për Avokaturën e Shtetit”: faza hyrëse, e cila do të zhvillohet në datën 15.01.2009; faza e formimit për një periudhë 2-3 muaj; provimi përfundimtar që do të zhvillohet brenda 3 muajve nga zhvillimi i provimit hyrës. Në procesin hyrës do të pranohen 30 kandidatë, të cilët do të vazhdojnë procesin formues nga të cilët vetëm 15 do të jenë me kohë të plotë dhe pagesë të plotë, ndërsa të tjerët do t’i nënshtrohen procesit formues pa pagesë.
Dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët
Kërkesë për aplikim;
Fotokopje e noterizuar e diplomës dhe certifikatës së notave;
Fotokopje e noterizuar e librezës së punës (nëse e disponon);
Dokument identifikimi;
Rekomandim zyrtar nga vendi i punës në të cilin ka punuar (nëse disponohet);
Të dhëna personale (CV);
27 Dhjetor 2008