Meta: “Ligji për Prokurorinë u këmbye me Kodin Zgjedhor”
Kreu i LSI-së, apel Ramës: “Mos i jep votat për ligjin që shkatërron Prokurorinë”. Meta: “Qëndrimi i dyfishtë i PS-së, i papranueshëm dhe i pamoralshëm”
Shaban Sulçe
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, e ka quajtur të turpshëm konsensusin e dhënë nga Partia Socialiste në Komisionin e Ligjeve për miratimin e projektligjit për Prokurorinë. Meta tha se LSI-ja i qëndron bindjes së saj se ky projektligj fsheh qëllimet e errëta të kryeministrit Berisha për të goditur institucionin e pavarur të Prokurorisë dhe për të penguar hetimet për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit dhe skandaleve të tjera të shkaktuara nga qeverisja aktuale. Meta e cilësoi të papranueshëm qëndrimin e lidershipit të PS-së, që edhe pse e kontestoi në mënyrë të vazhdueshme këtë projektligj, nga ana tjetër vendosi ta mbështeste atë. Sipas kreut të LSI-së, ajo çka ndodhi në Komisionin e Ligjeve është shprehje e një pazari të turpshëm në kurriz të institucionit të Prokurorisë. Meta tha se ligji për Prokurorinë u këmbye me Kodin e ri Zgjedhor. “Të gjithë ju e mbani mend kryetarin e Partisë Socialiste, një ditë pas miratimit të Kodit Zgjedhor në Parlament, ku u shpreh qartë se reformat në Drejtësi nuk do t’i bëjmë më me Berishën, se Berisha nuk synon pavarësinë e Drejtësisë, po se do t’i bënte kur të vinte e majta në pushtet, pas zgjedhjeve. Me të drejtë të gjithë sot mund të pyesim se çfarë ka ndodhur që Partia Socialiste është bërë palë me Berishën në përpjekjen e tij finale, përmes këtij ligji për të kontrolluar dhe uzurpuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme? Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, përgjigjja është e qartë: Projektligji i Berishës për Prokurorinë, i kontestuar nga vetë Prokuroria dhe Shoqata e Prokurorëve, nuk është gjë tjetër, por një këmbim i turpshëm për miratimin nga ana e Berishës e Kodit Zgjedhor, pa përmirësuar standardet e administrimit”, - tha Meta.
Apeli Ramës
Meta i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama që të reflektojë deri ditën e hënë dhe të votojë kundër projektligjit për Prokurorinë, që synon shkatërrimin e pavarësisë së organit të akuzës. “Ndaj, unë dua t’i jap këtë mesazh zotit Edi Rama, kryetarit të Partisë Socialiste: Në rast se ndjehesh i shantazhuar nga Sali Berisha me kërcënimin se ai ditën e hënë mund të bashkojë votat me LSI-në, në mënyrë që t’i japë LSI-së përfaqësimin në administrimin e zgjedhjeve që i takon për shkak të votës së shqiptarëve dhe jo për shkak të dëshirës së LSI-së, duhet të jesh i bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë për shkak të integritetit të saj të lartë moral dhe njëkohësisht për shkak të asaj që ka kërkuar që në fillim, që Kodi të ketë një gjithëpërfshirje dhe konsensus maksimal. Ndaj, në rast se ky është i vetmi shantazh që Sali Berisha bën mbi ty, ti duhet të jesh i sigurt që votat e LSI-së nuk bashkohen me ato të Sali Berishës, që LSI-ja të marrë komisionerin të hënën, por as ti dhe partia jote nuk duhet t’i jepni Prokurorinë e Përgjithshme Sali Berishës!” - vijoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.
Projektligji
Kreu i LSI-së tha se projektligji për Prokurorinë, i cili ka marrë mbështetjen e dy partive, PS e PD, në rast se do të miratohej do të shkatërronte Drejtësinë shqiptare. “Çdo të thotë kjo, që të rrisim kontrollin politik të ministrit të Drejtësisë mbi çështje të veçanta që hetohen? Kjo do të thotë që qeveria në çdo moment të rrisë presionin mbi prokurorët për çështje, kur hetohen vetë ministrat apo qeveritarët, apo të afërmit e tyre për korrupsion. Kjo do të thotë që prokurori i Përgjithshëm të jetë në terrorin e shumicës parlamentare, për t’u goditur dhe për t’u diskretituar. Kjo do të thotë që të krijohen komisione hetimore parlamentare për çështje të caktuara sa herë që do të kërkohet nga shumica dhe nga maxhoranca për të ndrydhur Prokurorinë dhe për të goditur pavarësinë e saj. Çfarë do të thotë që t’i lënë prokurorët në këtë vend, pa asnjë lloj mbrojtjeje nga shteti i tyre? Si mund të lihen prokurorët, përfaqësuesit e shtetit në luftë kundër krimit, në luftën kundër korrupsionit pa asnjë mbrojtje”, - tha Meta, i cili konfirmoi votën kundër të deputetëve të LSI-së ndaj këtij projektligji.
27 Dhjetor 2008