Bankat depozitojnë 3500 dosje për kreditë e pashlyera
Laureta Rryçi
Tiranë - Numri i dosjeve të depozituara në Gjykatën e Tiranës për
kreditë e pashlyera thyen rekord. Bankat e të gjitha niveleve në vend kanë depozituar dhjetëra padi kundër klientëve të tyre për mosshlyerje të kredive. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, nga janari i këtij viti e deri në ditët e sotme janë depozituar 3500 padi. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se rrallëherë më parë është vënë re një vërshim i bankave në gjykatë për të rimarrë paratë bashkë me interesat që u janë dhënë. Shifra zyrtare i përket vetëm kryeqytetit pasi ende nuk ka një studim të saktë se sa mund të jetë shifra reale për të gjithë vendin ku palë në proces janë bankat dhe klientët që kanë thyer afatet e kthimit të huasë. Sipas statistikave, vitin e kaluar kjo shifër nuk ishte më shumë se 700 dosje.
Ekzekutimi
Bankat, ndërsa i drejtohen gjykatës për të rimarrë paratë me gjithë vendimin pro kërkesës së tyre, sërish duhet të kalojnë një procedurë të gjatë. Pasi vendimi të marrë formën e prerë, gjykata urdhëron Zyrën e Përmbarimit për ekzekutimin e këtyre dosjeve. Të njëjtat burime shpjeguan se përmbaruesit e dosjes fillimisht e njohin qytetarin me detyrimin që kanë ndaj bankës dhe më pas i lënë disa ditë afat për ekzekutimin e këtij vendimi. Në të kundërt, nis sekuestrimi i objekteve të paluajtshme apo ngrirja e llogarive bankare nëse rezulton që të kenë.
Paditë
Me objekt padie “Urdhër ekzekutimi”, bankat e të gjitha niveleve që operojnë në kryeqytet i janë drejtuar Gjykatës së Tiranës për të rimarrë paratë. Qindra kredi të pashlyera në afatin kohor, përpos shumës që duhet të paguhej, u janë shtuar dhe interesat apo dëmet që i janë shkaktuar bankave për moskthimin në kohë. Sipas statistikave zyrtare të Gjykatës së Tiranës, vetëm në një ditë numërohen rreth 10 padi të tilla që depozitohen për t’iu nënshtruar procesit të shortit. Padia nga ana e bankës shoqërohet edhe me informacione të tjera, që njohin gjyqtarin që do ta gjykojë me shkeljet e klientëve dhe shumën që i detyrohen bankës. Për një pjesë prej këtyre padive gjykata është shprehur me vendim. Për ato dosje që është pranuar kërkesa, ka nisur procedura e mëtejshme që ndiqet zakonisht në këto raste. Për ato që janë pushuar, paditë janë nisur nëpër shkallët e tjera të Gjyqësorit derisa të marrin formën e prerë.
27 Dhjetor 2008