“Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë”, nisma më e re e “Eagle Mobile”
Tiranë – “Eagle Mobile”, kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, ndërmori së fundi nismën “Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë”. Megjithëse me vetëm 9 muaj në tregun shqiptar të telekomunikacionit, Eagle Mobile ka hedhur hapa konkretë në fushën e përgjegjësisë sociale. “Nuk mund të presim të plakemi si kompani që të ndërmarrim nisma të tilla”, - tha drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin, i cili priti me këtë rast znj. Liri Berisha, presidente e fondacionit “Fëmijët shqiptarë”, z. Ilir Çumani, drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, znj. Lajla Pernaska, deputete e Partisë Republikane në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe fituesin e “Big Brother Albania”, z. Arbër Çepani. Njëzet të rinj jetimë të moshës 15 - 17 vjeç u pritën nga z. Taskin, i cili u dhuroi atyre nga një aparat celular si dhe shumë materiale shkollore të nevojshme për ta. “Dera jonë për fëmijët jetimë do të jetë e hapur. Do t’u shkruaj dhe kërkoj kompanive të ndryshme si BKT, Albtelekom, Alpet etj., të bashkohen në këtë rrugë. Të gjithë së bashku duhet t’i mbështetim këta të fëmijë, këta të rinj. Eagle është një kompani shqiptare dhe ne e kemi detyrim mbështetjen për të rinjtë, të ardhmen e vendit”, - tha z. Taskin në fjalën e tij. Ai shtoi se të rinjtë jetimë që do të dalin me rezultate të larta do të gjejnë patjetër një vend punësimi në Eagle Mobile.
Zonja Liri Berisha falënderoi kompaninë “Eagle Mobile” për këtë sipërmarrje shumë të rëndësishme, sipas saj. “Përveç kësaj, unë u bëj thirrje të gjitha kompanive dhe bizneseve që t’u dalim për zot këtyre fëmijëve në nevojë, që ta ndiejnë edhe ata ngrohtësinë e munguar familjare”, - tha znj. Berisha. Ajo shtoi se në këtë mënyrë ne ndihmojmë në shërimin e një plage shoqërore të Shqipërisë. Eagle Mobile bëhet kështu e para kompani që ndërmerr nismën “Biznesi në mbështetje të fëmijëve jetimë”, duke synuar sensibilizimin e kësaj pjese të shoqërisë në ndihmë të atyre që kanë nevojë më shumë se kushdo për ngrohtësinë prindërore. Eagle Mobile ka ndërmarrë një sërë projektesh në kuadër të përgjegjësisë sociale të kompanisë. Shtëpive të të Moshuarve në Shkodër dhe Gjirokastër u janë dhuruar pajisje elektro-shtëpiake, për të cilat ata kishin nevojë. Po ashtu, një ndihmesë e veçantë në lodra dhe mjete argëtimi kanë shkuar për kopshtin e fshatit SOS në Tiranë. Dhurata është kryer sërish në bazë të kërkesës së vetë drejtuesve të këtij institucioni në bazë të nevojave konkrete për materiale. Po ashtu Eagle Mobile nuk mund të rrinte pa ndihmuar edhe ata që sapo kanë hapur sytë janë përballur me ftohtësinë e jetës. Shtëpia e Foshnjës në Tiranë është pajisur me materialet më të nevojshme për bebet. Po ashtu një fond i caktuar ka shkuar edhe për lodra plastike për fëmijët e kësaj moshe. Së fundi Eagle Mobile, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, do t’u dërgojë mëse 230 mijë abonentëve Eagle një SMS ku do kërkohet mbështetje për fëmijët e policëve të rënë në krye të detyrës. Eagle Mobile garanton gjithë opinionin publik, se si pjesë e kësaj shoqërie, mbetet e ndjeshme ndaj problemeve sociale të saj. Dhe nisur nga kjo, është dhe do të jenë ndër ata që mundohen t’i zgjidhin këto probleme.
27 Dhjetor 2008