Ligji “Për prokurorinë” rikthen në Kuvend konsensusin PD-PS
Eljona Ballhysa
Dy partitë e mëdha bashkuan votat dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve dhe miratuan me konsensus projektligjin e shumëdebatuar për Prokurorinë. Me gjithë kundërshtimet e prokurores së Përgjithshme, deputetët e dy partive të mëdha miratuan projektligjin e qeverisë pa marrë në konsideratë propozimet e prokurorëve. Projektligji për Prokurorinë do të miratohet bashkë me ndryshimet në Kodin Zgjedhor gjatë seancës së ditës së hënë. Relatori i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, vlerësoi projektin duke theksuar se ai ka marrë në konsideratë rekomandimet e EURALIUS-it dhe OPDAT-it. Ai gjithashtu shtoi se projekti është në përputhje me Kushtetutën dhe me rregulloren për reformën në Drejtësi të miratuar pak muaj më parë nga Kuvendi. Xhafaj shtoi se projekti ka pësuar përmirësime të dukshëm në krahasim me variantin fillestar.
Sugjerimet
Gjatë fjalës së tij Xhafaj dha disa sugjerime për realizimin e një reforme më të thelluar të Prokurorisë në të ardhmen. “Por ajo që doja të shtoja është se ky ligj nuk e reformon në tërësi institucionin e Prokurorisë. Ky institucion ka nevojë për një reformë më të thellë dhe më konkrete. Mendoj se projektligji duhet të kishte trajtuar më gjerë çështje që lidhen me forcimin e pavarësisë së këtij institucioni në raport me të tjerët. Në të ardhmen mendoj se duhet të shikohet mundësia e ridimensionimit të rolit të Këshillit të Prokurorisë në mënyrë që të mos jetë vetëm këshillimor”, - është shprehur Xhafaj. Ai tha se është e nevojshme që në të ardhmen të krijohet një inspektorat për kontrollin e prokurorëve. Deputeti i PS-së sugjeroi që në të ardhmen të përcaktohet më qartë statusi i prokurorit, të përmirësohet sistemi financiar i Prokurorisë, si dhe të ridimensionohet roli i Policisë Gjyqësore.
Mbrojtja
Ministri i Drejtësisë, nga ana e tij, në përgjigje të kundërshtimeve të prokurores së Përgjithshme përsa i përket shfuqizimit të imunitetit, tha se “sipas një drejtësie të konsoliduar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, imuniteti për një kategori zyrtarësh është i parashikuar në Kushtetutë dhe për pasojë ligji as mund të heqë dhe as mund të shtojë kategori të tjera me imunitet. Në frymën më të fundit politike dhe sociale ndërhyrja në ligjin aktual përcakton qartë konceptin e mbrojtjes penale të prokurorëve. Mbrojtja e vetme që do t’u jepet prokurorëve është zbatimi koherent, i saktë dhe me devotshmëri i ligjit”, - është shprehur Alibeaj. Përsa i përket nenit që i jep të drejtë ministrit të Drejtësisë të raportojë në Kuvend mbi punën e bërë nga Prokuroria, Alibeaj tha se është e nevojshme që të ketë një institucion që të kontrollojë punën e Prokurorisë. Ai tha se nuk do të ushtrohet presion nëpërmjet këtij neni, pasi raportimi do të bëhet për çështje të përgjithshme dhe jo për punën individuale të kryeprokurorit. Përsa i përket të drejtës që i jepet ministrit të Drejtësisë për të dhënë masë disiplinore, ai tha se kjo masë nuk është imponuese për Prokurorinë, por do t’i kalojë të gjitha etapat e shqyrtimit nga Këshilli i Prokurorisë dhe më pas vendimi do të jepet nga prokurori i Përgjithshëm. Përsa i përket pyetjes së socialistit Xhafaj për mundësinë e krijimit të postit të zëvendësprokurorit të Përgjithshëm, Alibeaj tha se kjo çështje u shqyrtua nga grupi i punës dhe u ra dakord që në bazë të Kushtetutës, të mos parashikohej ky post që do të eklipsonte prokurorin e Përgjithshëm. Por Alibeaj tha se ligji i jep të drejtë kryeprokurores që për një çështje të caktuar të zgjedhë një drejtues nga zyra e saj dhe t’i kalojë kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm. I vetmi debat që është iniciuar nga Partia Socialiste në mbledhjen e djeshme ka qenë ai i Pandeli Majkos me ministrin e Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Debati në fjalë ka të bëjë me raportimin e përvitshëm të ministrit të Drejtësisë në Kuvend për punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Pandeli Majko ka ngritur shqetësimin se ky raportim mund të shërbejë si një motiv politik që mund të çojë në shkarkimin e prokurorit të Përgjithshëm, pasi historia e politikës shqiptare deri tani ka prodhuar katër raste të shkarkimit të kryeprokurorëve në vite.
27 Dhjetor 2008