Theodhori Sollaku: “Projektligji nuk cenon pavarësinë e Prokurorisë”
Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ka vlerësuar projektligjin e miratuar gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Parlamentar të Ligjeve “Për Prokurorinë”. Sipas Sollakut, varianti i miratuar ka pësuar ndryshime pozitive, duke reflektuar propozimet dhe rekomandimet e misioneve ndërkombëtare që operojnë pranë Ministrisë së Drejtësi. Sipas Sollakut, projektligji aktual është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk cenon pavarësinë e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme.
“Drafti final ka reflektuar vërejtjet e ndërkombëtarëve. Kam parasysh dispozitat me presionin që i bëhet prokurorit në raste të ndryshme gjatë veprimeve të tij. Projektligji është në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Europës. Pra meraku që ky ligj do të vendosë nën thundrën e qeverisë institucionin e Prokurorisë nuk qëndron”, - është shprehur Sollaku. Duke komentuar nenin 28 të projektligjit që kundërshtohet nga prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, ish-kryeprokurori Sollaku mendon se raportimi i ministrit në Kuvend nuk përbën rrezik dhe kërcënim për Prokurorinë, pasi Gjykata Kushtetuese nuk merret me një çështje të veçantë. Sollaku jep një vlerësim dhe për nenin 36 të ligjit në fuqi, që është hequr në draftin aktual dhe që komentohet si heqja e imunitetit të prokurorit dhe thotë se ajo që quhet imuniteti i prokurorit është mbrojtja e prokurorit nga prokurori dhe që, sipas tij, është nonsens. “Mbrojtja e prokurorit nga prokurori, kjo është nonsens. Pasi një qytetar i thjeshtë nuk mund të ndalohet apo arrestohet, përveç rastit kur kapet në flagrancë, pa pasur lejen e prokurorit. Kjo ndodh edhe në rast se do të ndalohet një prokuror. Projektligji parashikon që nëse kapet në flagrancë, arrestohet prokurori. Ku nuk ka flagrancë, policia nuk mund të ndalojë dhe arrestojë një prokuror pa lejen e prokurorit të Përgjithshëm”, - është shprehur Sollaku.
27 Dhjetor 2008