Axhemi: Edi Rama kundër të gjithëve për prishjen e zgjedhjeve
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sokol Axhemi reagoi dje pas deklaratës së Kryetares së Grupit Parlamentar të PS, Valentina Leskaj, e cila u shpreh se Sali Berishën nuk mund ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e tij. Nënkryetari i LSI, Axhemi, pasi theksoi se kjo është një deklaratë e turpshme dhe e rreme, u shpreh se deklarata të tilla dëshmojnë se, "Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është i trembur nga zgjedhjet e lira dhe se tashmë Rama po tregon se është kundër të gjithëve për prishjen e zgjedhjeve". Duke u nisur nga fakti se edhe faktori ndërkombëtar është angazhuar gjithnjë dhe më shumë për një Kod Zgjedhor gjithpërfshirës, nënkryetari Axhemi theksoi se "Rama po del edhe kundër ndërkombëtarëve për gjithpërfshirjen në administrimin e zgjedhjeve". Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho tha se ende nuk ka asnjë përgjigje nga ana e PS-së për Kodin Zgjedhor. "Edi Rama, ndonëse është kryetar i një partie që ende quhet e madhe, po sillet si i vogël, si adoleshent, duke mos u bërë i përgjegjshëm për t'i dhënë përgjigje ofertave apo angazhimeve, që ditët e fundit janë vënë në lëvizje edhe nga faktori ndërkombëtar për standardet që duhet të kenë zgjedhjet dhe gjithpërfshirje njëkohësisht në administrimin e tyre", tha Braho. Sipas tij, Berisha, me prononcimin e tij të djeshëm, përpiqet të heqë përgjegjësinë para ndërkombëtarëve, duke ia lënë faturën Ramës, por harron se kjo faturë është edhe pjesë e përgjegjësive të tij.