E Diel, 1 Nëntor 2026

Kodi, Basha: Zgjidhje gjithëpërfshirëse

 

ADI SHKEMBI

Komuniteti ndërkombëtar kërkon miratimin e një kodi gjithëpërfshirës, pasi ai të kalojë për herë të dytë në parlament.    Këtë e konfirmoi dje Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili në një prononcim për mediat konfirmoi deklaratën e Metës, pak ditë më parë, sipas të cilit gjatë një takimi me disa përfaqësues të huaj kryeministri Berisha ka deklaruar se LSI-së i takon një anëtar në procesin e numërimit të votave. Kreu i diplomacisë shqiptare tha se "është e vërtetë që ka pasur një interesim ndërkombëtar për gjithëpërfshirjen e faktorit politik shqiptar në Kodin e ri Elektoral dhe ky interesim ka qenë në çdo nivel. Unë uroj që kësaj radhe të gjendet një zgjidhje për t'i dhënë rrugë këtyre shqetësimeve të faktorit ndërkombëtar". Megjithëse që prej datës 3 dhjetor, presidenti Topi ka kthyer në parlament Kodin për rishqyrtim, për shkak të përplasjes së një neni të tij me kushtetutën, ende nuk ka një ide se si do të kalojë Kodi në Kuvend. Ndërkohë sot paradite është parashikuar një mbledhje e konferencës së kryetarëve, e cila pritet të diskutojë këtë çështje. Vështirësia për zgjidhjen e situatës ka ardhur për shkak se miratimi i tij nuk kaloi nga komisionet e përhershme kuvendore, por nga një komision i posaçëm, komisioni i reformës zgjedhore. Por nga ana tjetër, ky komision ka përfunduar mandatin e tij dhe do të duhet që kuvendi ta ngrejë sërish nga e para, për të shqyrtuar dekretin e presidentit. Në të njëjtën kohë maxhoranca nuk ka vendosur ende një datë se kur do të kalojë Kodi në kuvend. Dy ditë më parë, gjatë një konference për shtyp, kryeministri Berisha tha se "dialogu mes Ramës e Metës do të ishte zgjidhja më e mirë dhe unë do të pranoja çdo rezultat". Të hënën, në zyrën e kryeministrit Berisha kanë qenë me kërkesën e tyre Ambasadorja Franceze znj. Bourolleau dhe Ambasadori i OSBE-së, Bosch ku kanë biseduar rreth problematikës, që është krijuar pas kthimit të Kodit në Kuvend dhe gjetjes së zgjidhjeve gjithëpërfshirëse për të. Një ditë më pas, kreu i ekzekutivit hodhi poshtë pretendimet, se kthimi për shqyrtim në Parlament i Kodit të ri Zgjedhor dëmton procesin zgjedhor. Berisha deklaroi dje se "me kthimin për shqyrtim në parlament të Kodit të ri Zgjedhor, procesi elektoral nuk po dëmtohet por po merr garanci shtesë". Të njëjtin qëndrim kreu i qeverisë ka mbajtur edhe në disa prej mbledhjeve të fundit të grupit parlamentar. Ai është shprehur se nuk ka asgjë kundër që edhe LSI-ja të jetë pjesë e procesit të numërimit, por që duhet zgjidhur me PS-në. Në të njëjtën kohë Berisha, teksa ka komentuar qëndrimin e presidentit për të rikthyer kodin në parlament, është shprehur se Topi e ka bërë një të tillë pikërisht për t'u arritur akordi mes kreut të PS-së, Edi Rama dhe atij të LSI-së, Ilir Meta. Por kjo shtyrje e miratimit të ligjit elektoral në parlament është duke u përdorur nga maxhoranca edhe për të thelluar përçarjet në krahun e majtë. Miratimi i Kodit në limitet kohore do t'i shërbejë Partisë Demokratike teksa ajo ndjek nga jashtë debatet e ashpra mes dy forcave të kampit të majtë. Në të njëjtën kohë, megjithëse PD-ja e PS-ja e kanë miratuar së bashku Kodin Elektoral, demokratët nuk e kanë pritur mirë qëndrimin e socialistëve pas kthimit të ligjit në kuvend. Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj pranoi në një konferencë për shtyp vërejtjet e konstatuara nga kreu i shtetit dhe i bëri thirrje maxhorancës për të votuar Kodin me ndryshimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›