Fortuzi: S’pranoj të bëhem trajner i parë
Indrit Fortuzi ka hedhur në mënyrë kategorike poshtë idenë e pranimit të marrjes së drejtimit të Tiranës për pjesën e mbetur të sezonit. Në fakt, “Zogu” ka theksuar se do të pranonte të drejtonte grupin vetëm përkohësisht, deri në gjetjen e një trajneri të ri, por shtoi se në asnjë mënyrë ai nuk do ta ndërmarrë përsipër një nismë të tillë që e sheh veten si trajner të parë të skuadrës. Fortuzi nënvizoi se situata në skuadër nuk është aspak e mirë në planin psikologjik, pasi largimi i trajnerit kishte sjellë një çoroditje të të gjithë grupit, megjithatë, pranoi se një lëvizje e tillë mund të ndikojë për mirë në javët e ardhshme në qoftë se trajneri i ri do të sjellë një mentalitet ndryshe. “Jo, nuk do të pranoj të jem trajner i parë i skuadrës. Nuk mund të marr përgjegjësi të tilla. Sigurisht që do të pranoj ta drejtoj skuadrën përkohësisht deri sa të vijë trajneri i ri, por në asnjë mënyrë nuk pranoj ta drejtoj ekipin gjatë sezonit. Nuk besoj se janë pjekur kushtet. Besoj se trajneri i ri do të zgjidhet shumë shpejt dhe ne do të vazhdojmë qetësisht punën. Shpresojmë që skuadra të reagojë në ndeshjen e radhës ndaj Apolonisë. Unë besoj se grupi ka forca të shumta për të përballuar ndeshjet dhe pavarësisht situatës së krijuar pas largimit të trajnerit, mendoj se do të gjejmë forca për ta fituar ndeshjen”, u shpreh Fortuzi.