E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA përshëndeti zbarkimin e EULEX-it pa probleme

 

Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur zbarkimin e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Në një komunikatë të paraqitur nga zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Shon Mekormak thuhet se “Shtetet e Bashkuara ritheksojnë mbështetjen për EULEX-in dhe janë krenare, që do të kontribuojnë me personel në këtë mision”. Veç kësaj dhe një herë qeveria amerikane ka theksuar mbështetjen për integritetin territorial të Kosovës. Në misionin evropian Amerika do të kontribuojë me një kontingjent prej 80 personash, që do të jenë policë, gjyqtarë, dhe prokurorë. “Jemi të zotuar për misionin e EULEX-it dhe forcimin e institucioneve të ligjit në gjithë Kosovën, nga të cilat përfitojnë të gjitha komunitetet, duke promovuar integritetin territorial dhe stabilitetin në rajon”, thekson njoftimi i qeverisë amerikane. Shtetet e Bashkuara kanë ritheksuar edhe më parë nevojën e shtrirjes së EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës duke nënvizuar “rëndësinë e respektimit të plotë të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”. Ndërsa kreu i politikës së jashtme dhe sigurisë në BE, Havier Solana, pas zbarkimit me sukses të misionit evropian në Kosovë, është pyetur nga gazetarët lidhur me procesin e integrimit të Serbisë në BE dhe kushtin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Solana i ka devijuar përgjigjes konkrete duke thënë se këtë çështje duhet lënë për një fazë të mëvonshme të proceseve integruese evropiane. 
“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë të qartë evropiane. Kushtet janë të njohura për të gjithë, sikur edhe puna që duhet kryer. Serbia, padyshim, do të orientojë gjithë energjinë e saj në përparimin e shpejtë. Çështja e Kosovës i takon një faze të mëvonshme të këtij procesi”, ka deklaruar Solana.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›