E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Kodi, Berisha diversion PS-së me Ilir Metën

 

Kryetarja e Grupit Parlamentar Socialist Valentina Leskaj i është përgjigjur deklaratave të dy ditëve më parë të kryeministrit Berisha për çështjet e Kodit Zgjedhor. Leskaj e konsideroi deklaratën dhe qëndrimin e Berishës diversion ndaj Partisë Socialiste. "Ne e konsiderojmë absolutisht jo serioz qëndrimin e djeshëm të kryeministrit Berisha lidhur me Kodin Zgjedhor, në një kohë që Parlamenti s'duhet të vonojë në asnjë mënyrë procesin e zbatimit të Kodit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme", tha Leskaj. Kryetarja e grupit socialist të deputetëve i kërkoi Berishës të miratojë pa vonesë Kodin Zgjedhor në Kuvend. "Vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial, i cili mund të ishte shmangur lehtësisht pa asnjë problem kushtetues nga ana e vetë presidentit, s'duhet të zgjatet pa asnjë nevojë nga ana e kryeministrit", tha Leskaj. Ajo i ka kujtuar kryeministrit se ai e ka për detyrë të nxisë zgjidhjen për të garantuar një zbatim rigoroz të Kodit Zgjedhor, duke filluar nga ngritja e menjëhershme e administratës qendrore zgjedhore dhe jo të bëjë cic-mic, duke luajtur me fjalë për të bërë diversion ndaj Partisë Socialiste. Leskaj i ka atakuar edhe Kryetarin e LSI-së Ilir Meta, duke i cilësuar ftesat e kësaj partie për të gjetur pika të përbashkëta në Kodin Zgjedhor, si mllef i cili i shërben qëndrimit të Berishës në pushtet. "Nëse Sali Berisha kujton se do ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e pakufishëm ndaj Partisë Socialiste, ky nuk është problemi ynë, por i kryeministrit, i cili nuk duhet të ngatërrojë detyrimin madhor ndaj popullit shqiptar e partnerëve ndërkombëtarë, për një reformë zgjedhore konsensuale dhe të zbatuar ashtu si duhet, me politikën e tij të vjetër të ditës", tha Leskaj. Dy ditë më parë, kryeministri Berisha kërkoi gjetjen e zgjidhjeve për Kodin Zgjedhor mes Metës dhe Ramës, pasi sipas tij gjithëpërfshirja është zgjidhja më e mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›