E Diel, 1 Nëntor 2026

Plas te Tirana, ikën Slishkoviç

 

Blaze Slishkoviç nuk është më trajneri i Tiranës.Boshnjako-kroati është larguar përfundimisht, duke lënë një imazh të shëmtuar në Shqipëri, e duke konfirmuar se “jeta” e një trajneri të huaj te Tirana është shumë e shkurtër, parë dhe historinë e paraardhësve të huaj tek 23-herë kampionët, hungarezit Miklosh Temeshvari, boshnjakut Enver Haxhiabdiç dhe italianit Leonardo Menikini. Baka, i famshëm për disiplinën ekstreme dhe brutalitetin e jashtëzakonshëm me median, gjatë një konference të sajuar me urgjencë shtypi, bëri akuza të drejtpërdrejta ndaj “klaneve”, që sipas ish-trajnerit të Bosnjë-Hercegovinës, ekzistojnë dhe punuan me keqdashje te Tirana. “Detyrohem të jap dorëheqjen pas rezultateve negative. Objektivi im personal, por dhe i klubit ishte dalja kampion, por mesa duket në këtë situatë zgjidhja më e mirë ishte largimi im”, - u shpreh Slishkoviç, ku vulën e vuri barazimi i shëmtuar 2-2 kundër Partizanit të vendit të fundit, ndaj të cilit edhe mund të humbiste, nëse sulmuesi më i mirë aktual i Tiranës, Migen Memelli nuk do të shpikte dhjetë minuta para përfundimit të takimit golin e barazimit. Gjithsesi, ish-trajneri i Hajdukut të Splitit dhe Zrinjski Mostarit e la shenjën e vet në futbollin shqiptar, duke fituar një trofe ndërkombëtar, “Taçi Oil Albania Reads”, edhe pse ai kishte një nuancë lokale. “Fitorja me Milanin ishte një nga gëzimet e mia më të mëdha me Tiranën”, - tha Slishko, duke iu referuar fitores 2-1 në “Qemal Stafa”, më 14 tetor, kundër një klubit me më shumë tituj ndërkombëtarë në planet, në një takim të jashtëzakonshëm të bardhebluve kundër emrave të tillë si Ronaldinjo, Shevçenko, Inzagi, Ambrozini, Maldini, Sedorf e të tjerë. Tirana gjatë drejtimit të ish-lojtarit të Hajdukut të Splitit në Kroaci, Peskarës në Itali dhe Olimpikut të Marsejës në Francë, në 14 ndeshjet e zhvilluara shfaqi dy fytyra të një kontrasti ekstrem. Në shtatë javët e para kryesonte bindshëm, me pesë pikë më shumë se Vllaznia (17, Tirana; 12 Vllaznia), ndërkohë që në shtatë javët e dyta realizoi vetëm një fitore, atë kundër Lushnjës (1-0), dhe kjo falë autogolit të lushnjarit Laert Ndoni.
Në 14 javët e zhvilluara deri tani, Tirana e Slishkoviçit fitoi 6 takime, barazoi po 6 dhe humbi 2 ndeshje, ato me Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta” dhe Teutën në “Qemal Stafa”, duke u renditur në vendin e dytë me 24 pikë, katër pikë më pak se Vllaznia e vendit të parë (28 pikë), ndaj së cilës bardhblutë barazuan në dy përballjet e para, 0-0 në “Loro Boriçi” dhe 1-1 në “Qemal Stafa” në fazën e dytë. Gjithsesi, Slishkoviç, i cili të martën kërcënoi edhe një gazetar sportiv për shkak të fotografive të realizuara nga ky i fundit, lëshoi edhe batutën e fundit. “Nëse do të më thërrasin sërish për të drejtuar një klub futbolli në Shqipëri, do ta bëja me kënaqësi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›