E Shtunë, 31 Tetor 2026

Axhenda e ditës së sotme të Samitit, Shqipëria zyrtarisht anëtare në NATO

Ditën e sotme Shqipëria bëhet zyrtarisht anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Ndonëse Aleanca numëron 28 anëtarë, tryezës së samitit do ti shtohen edhe dy karrige për kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe për atë kroat Ivo Sanader. Në lidhje me simbolikën e anëtarësimit, ditën e sotme me nisjen e këshillit të Atlantikut të Veriut, presidenti amerikan Barack Obama do ti dorëzojë homologut shqiptar Bamir Topi dhe atij kroat Stipe Mesic kopjet e Traktatit të Ëashingtonit ku përfshihen dy vendet e reja anëtare. Në ditën e dytë të punimeve të këtij samiti, ku Shqipëria do të ulet si anëtare, do të jenë rreth tryezës së NATO-s, presidenti dhe kryeministri. Autoritetet shqiptare kanë bërë të qartë se dëshirojnë t'i përgjigjen shqetësimeve të NATO- s duke konfirmuar angazhimin e bërë publik nga kryeministri Sali Berisha gjatë takimit në Uashington me Sekretaren amerikane të Shtetit Hillari Klinton, për të rritur praninë në Afganistan edhe me një tjetër kompani. Aktualisht, Shqipëria ka atje 135 ushtarakë të saj në Kabul dhe Herat. Dita e dytë e punimeve të këtij samiti (4 prill), do të nisë në orën 08.45 me ceremoninë e kalimit të urës mbi lumin Rehn, dhe do të vijojë me takimin e liderëve me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe më pas me presidentin Nikolas Sarkozy. Më pas do të bëhet nisja për në Pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet seanca plenare e Këshillit të Aleancës dhe ku pritet të përshëndesin personalitetet më të larta të vendit, kancelarja gjermane Merkel, Presidenti francez Sarkozy dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Seanca pritet të përfundojë rreth orës 12.45, ku Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer do të zhvillojë një konferencë për shtyp. Rreth orës 15:00, kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një konferencë për shtyp, ku do të marrin pjesë të gjitha mediat e akredituara pranë Samitit të NATO-s. Në krye të delegacionit shqiptar është presidenti i vendit Bamir Topi. Anëtarë të tjerë të këtij delegacioni janë kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa, kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozi, dhe kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Presidenti Topi, si kryetar i delegacionit shqiptar, do të mbajë një fjalë përshëndetëse ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut, në ditën e 60-vjetorit të krijimit të NATO-s. Presidenti Topi ka deklaruar disa ditë më parë në Tiranë, se sfida e parë e vërtetë për t'ju përgjigjur besimit që dhanë vendet e NATO-s për Shqipërinë, do të jetë zhvillimi i zgjedhjeve të 28 qershorit brenda standardeve të pranuara. Gjithashtu edhe kryeministri Berisha ditën e sotme do të marrë pjesë në seancën jubilare të Këshillit të Atlantikut të Veriut në Pallatin e Muzikës dhe Kongreseve në Strasburg, që mbahet me rastin e 60 vjetorit të krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kryeministri Berisha do të përshëndesë mbledhjen e Këshillit dhe do të shprehë mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen në rrugën e tyre drejt përmbushjes së ëndrrës së tyre kombëtare, anëtarësimin në NATO. Samiti Jubilar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, ku Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare me të drejta të plota në NATO, do të zhvillohet për herë të parë në historinë e krijimit të Aleancës në dy shtete, në Francë dhe Gjermani. Takimi, në të cilin pritet të merren vendime të rëndësishme për vetë Aleancën, Afganistanin por dhe marrëdhëniet me Rusinë, do të jetë në trysninë e protestave anti-NATO, të cilat kanë nisur dhe kanë provokuar edhe përplasje me policinë në jug të Strasburgut. Në përfundim të samitit, Kryeministri Berisha do të japë një konferencë për shtyp për median e akredituar në këtë samit.

Last Updated on Saturday, 04 April 2009 11:40

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›