Programi i aktiviteteve Shqipëria në NATO, për ditën e nesërme
Ditën e nesërme qeveria shqiptare do të festojë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, nëpërmjet programit Shqipëria në NATO. Sipas agjendës bëhet e ditur se delegacioni shqiptar, do të mbërrijë në Rinas rreth orës 12.30 dhe do të zhvillohet një pritje ceremoniale, e cila parashikohet të zgjasë rreth 20 minuta.
Pas kësaj ceremonie, kryeministri Berisha pritet të mbajë një deklaratë për shtyp në pistën e aeroportit, më pas delegacioni do të largohet drejt Tiranës. Rreth orës 18.15, kryeministri do të jetë tek sheshi Nënë Tereza ku do të takohet me studentët e Akademisë së Arteve, pas këtij takimi Berisha do të përshkojë në këmbë bulevardin Dëshmorët e Kombit. Rreth orës 18.45, kryeministri do të ndalet tek oborri i Galerisë së Arteve, ku do të takohet me fëmijët dhe më pas do të vazhdojë në këmbë rrugën drejt sheshit Skënderbej, ku në orën 19.00 është parashikuar mitingu i organizuar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Në këtë miting, pas fjalimit që do të mbajë kryeministri, do të vijojë koncerti me këngëtarë dhe grupe të njohura muzikore: Redon Makashi, Aleksandër Gjoka, Jonida Maliqi, grupi kosovar Kthjellohu, grupi Elita 5 si dhe grupi UB40.