Leskaj: Shqipëria dhe Kroacia, anëtarët më të rinj të NATO
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, pjesëmarrëse e delegacionit zyrtar shqiptar në Samitin dy ditor të NATO-s, ka theksuar nga Strasburgu, rëndësinë e këtij takimi, jo vetëm për kremtimin e 60-vjetorit të Aleancës, por dhe për axhendën e tij. "Shqipëria dhe Kroacia pritet të jenë anëtarët më të rinj të kësaj Aleance", u shpreh kryetarja e grupit socialist, ndërsa vuri në dukje dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në Samit të presidentit të SHBA-së, Barack Obama, në përqasjen e politikës amerikane, si për çështjen e Afganistanit, ashtu edhe në marrëdhëniet me Rusinë.
Pasi vuri në dukje atmosferën që mbizotëron në Strasburg në këtë 60 vjetor të Aleancës, zyrtarja e PS-së tha se në kuadër të këtij takimi të rëndësishëm janë planifikuar një sërë aktivitetesh, të cilat u organizuar mbrëmjen e djeshme, për të vijuar ditën e sotme. Jo rastësisht punimet e Samitit zhvillohen në Strasburg dhe Kehl, në kufirin franko-gjerman, për vetë rolin e madh që këto dy shtete kanë në BE dhe në përgjithësi në marrëdhëniet mes Aleancës dhe komunitetit evropian, ka theksuar Leskaj.