Topalli: Rama nuk përfaqëson socialistët që kanë punuar për këtë anëtarësim
Kryetarja Topalli e ka cilësuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, një ngjarje historike për Shqipërinë. Para nisjes në Strasburg, Topalli, u shpreh se merita kryesore për këtë ngjarje i përket të gjithë shqiptarëve, sakrificës dhe mundit të tyre. Por, fakti është se marrja e ftesës ndodhi në 2008 dhe anëtarësimi i plotë në 2009. Pa dyshim që kjo ka arsyet e veta, pasi ishte kjo maxhorancë që e udhëhoqi këtë proces.
Anëtarësimi në NATO nuk do të ishte bërë i mundur nëse Shqipëria rreshtohej ende si një vend i pasigurt, ku zotëronte korrupsioni dhe mafia, theksoi ajo, duke veçuar meritën kryesore të kryeministrit Berisha, me ndërmarrjen e reformave të thella që e transformuan këtë vend. Shqipëria nga anëtarësimi në NATO, sipas saj përfiton nga pikëpamja ushtarake dhe duke sjellë në vëmendje artikullin 5 të Traktatit të Uashingtonit, kryetarja e Kuvendit theksoi se në rast të ndonjë sulmi të mundshëm ndaj Shqipërisë, bazuar në këtë Traktat, të gjithë anëtarët e Aleancës janë të detyruar që të japin asistencë militare dhe ta konsiderojnë mbrojtjen e Shqipërisë njësoj si të ishte vendi i tyre. Sipas saj NATO nuk është thjesht një Aleancë ushtarake, por është një aleancë politike dhe ekonomike dhe vetë anëtarësimi është një hap tjetër i madh drejt BE-së, sepse të dyja këto procese shkojnë paralel me njëra tjetrën. Në lidhje me opozitë, kryetarja Topalli ka theksuar se ka bërë detyrën e vet duke votuar për ligje dhe reforma, siç ishte rasti i Kodit Elektoral. Nga ana tjetër, Topalli u shpreh se e ka bërë gjithmonë diferencën mes PS-së dhe individit Edi Rama, i cili nuk përfaqëson ata socialistë që kanë punuar për këtë anëtarësim. Në periudhën, kur vendi ndodhet në prag të zgjedhjeve parlamentare, kryetarja e Kuvendit u shpreh se nuk e përkthen me vota, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, por e konsideron si një hap shumë të rëndësishëm drejt sigurisë.