E Diel, 1 Nëntor 2026

Ayala: Zgjidhja politike është një kusht

Intervista me sekretarin e përgjithshëm të Internacionales Socialiste Luis Ayala

Sekretari i përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ayala, në një intervistë për “Top Story” të gazetarit Sokol Balla analizon zhvillimet politike në Shqipëri dhe më gjerë.

Z. Ayala, ju bëtë mbledhjen e Eurosocialistes në Tiranë. Lëshuat edhe një deklaratë finale, ku u duk se patët një gjuhë edhe më të ashpër sesa edhe vetë socialistët shqiptarë. Ju përmendët si Internacionale Socialiste, përveç mbështetjes ndaj kërkesave të Edi Ramës, edhe zgjedhjet e parakohshme. Mendoni që kjo mund të jetë një nga opsionet e zgjidhjes së krizës në Shqipëri?

Po, pikësëpari ne kemi ardhur këtu për të qëndruar së bashku me anëtarin tonë, Partinë Socialiste. Kemi ardhur këtu për të qëndruar pranë popullit shqiptar. Ne duam që shqiptarët të kenë zgjedhje të lira dhe transparente, të cilat duhet të jenë një pikë e përbashkët e demokracive në mbarë botën. Shqipëria e ka futur veten në një udhëkryq për sa u përket këtyre zgjedhjeve të fundit, të qershorit të kaluar. Si socialdemokratë, të cilët kanë qenë aktorë apo protagonistë në shumë zgjedhje, e dimë se për çfarë flitet, prandaj vendosëm që të vijmë këtu. Siç unë e kuptoj, ekziston një vullnet absolutisht pozitiv nga socialistët, ju e keni parë se ata u kthyen në Parlament sërish më 25 maj, për të gjetur një zgjidhje, një zgjidhje që duhet të jetë politike. Politika është e krijuar në bazën e simbolikës, kompromiseve dhe nganjëherë është një bisedë e drejtpërdrejtë. Mendoj se para së gjithash vendos natyrën e zgjidhjes së problemit, e cila do vijë nga vetë shqiptarët. Eksperienca ime personale më tregon se në shumë rrethana të përafërta, është e vështirë të evitosh t’i afrohesh brendisë së çështjes dhe brendia e çështjes ka qenë se ka pasur një proces zgjedhor, gjatë të cilit është shumë e qartë se çfarë ka ndodhur. Ose përfundimisht populli shqiptar duhet të përballet me pyetjen: “çfarë do të bëhet atëherë?” dhe nëse nuk ka pasur në të kaluarën një proces të lirë zgjedhor, atëherë duhet patjetër të mendosh se kur duhet të bësh zgjedhjet e vërteta demokratike dhe transparente.

Ndoshta do të kishte qenë më e ndershme, thonë disa kritikë, që Rama të thotë: “Duam t’i hapim kutitë dhe nëse rezultati është ndryshe nga ai që është shpallur në qershor të vitit 2009, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”. Por në fakt z. Rama nuk e thotë dhe duket se ndërkombëtarët ia kanë kërkuar pikërisht këtë, nuk ju duket një kontradiktë kjo?

Jo, si të them, unë nuk shoh një kontradiktë. çfarë shoh është një proces që ecën në një farë mënyre, pra duhet ta ndjekësh në një lloj mënyre. Nganjëherë është më e vështirë dhe kërkon kohë. është i ndërlikuar për t’u kuptuar. Por është një proces që duhet të qartësojë aspekte të ndryshme. Pra, çështja do të ishte, të qartësoheshin disa gjëra, por kjo nuk ka qenë ajo ç’ka ndodhi. Nuk është dhënë mundësia për atë proces që të ndodhë, kështu që problemi ka eskaluar (është bërë më i madh). Ka arsye objektive, si edhe subjektive, të cilat sjellin një proces të mirë zgjedhor. Ato objektiva, janë si ky procesi që duhet të kalojë në faza të ndryshme. Mendoj se pikëpamja e Edi Ramës ka qenë mbarëvajtja e këtij procesi, por në të njëjtën kohë në mënyrë paralele me këtë, është perceptimi i situatës. Dhe kjo është një gjë tepër thelbësore në një proces zgjedhor, është ana e tij subjektive. Jo vetëm që duhet të duket se ka qenë siç duhet, por njerëzit kanë nevojë që të binden se ka qenë ashtu. Kjo është themelore, sepse në politikë, konsensusi dhe besueshmëria në raste të tilla janë tepër e rëndësishme, madje themelore, në mënyrë që të ndiqet vullneti i popullit.

Ju përmendni që marrëveshjet dhe kompromiset janë të rëndësishme, por duhet të jenë marrëveshjet mbi ligjin dhe Kushtetutën apo brenda tyre?

Pra, siç e thashë dhe më parë, është ajo çështja e procesit që duhet kaluar me etapa të caktuara, të cilat duhet të shoqërohen nga besueshmëria dhe logjika. Askush nuk besoj se pret që në Shqipëri të ketë kompromis për sa u përket këtyre aspekteve, të cilat duhen sqaruar. Besoj se është si në çdo çështje politike, nëse duhet të bindësh për diçka, duhet të jesh tërësisht i qartë se për çfarë po bindesh. Dhe kjo është gjëja kryesore. Ne jemi dakord se ka paqartësi në rezultatet e procesit zgjedhor, duhet t’i bëni gjërat të qarta që të gjeni një zgjidhje politike dhe ky është kusht. çdo dyshim politik për qartësinë e situatës, qoftë për socialistët apo jo, si për këtë apo atë pikëpamje politike, bazohet në çështjen e besueshmërisë së procesit politik në tërësi dhe në zgjedhjet e kaluara elektorale, të cilat kanë ngritur shumë dyshime dhe kjo është çështja kryesore, të cilën të gjithë duhet ta adresojnë. Ky është edhe thelbi i asaj që diskutuam me miqtë tanë shqiptarë, si dhe me partitë e tjera nga i gjithë rajoni. Ne e dimë se në këtë zonë të Europës, fatkeqësisht, problemet dhe vështirësitë me procesin zgjedhor nuk janë të padëgjuara, apo të panjohura. Këto janë gjëra që zakonisht i përkasin së kaluarës. Ne kemi ecur përpara dhe është sidoqoftë disi e rrallë të hasësh probleme të tilla, qoftë edhe në rang botëror. Para katër ditësh isha në një vizitë në shtetin afrikan të Ganës, ku u zhvillua një proces i vështirë zgjedhor. Në zgjedhjet e fundit partia opozitare, e cila ishte aleatja jonë, fitoi me 20 mijë vota më tepër. Në Gana institucioni elektoral, Komisioni Zgjedhor, partitë politike, pra të gjithë i njohën zgjedhjet si të drejta, pa ndonjë incident. Kjo ndodhi, sepse ata kanë besim në atë institucion, në procesin zgjedhor dhe transparencën e tij. Gjithashtu, pyetja tjetër që është pjesë e realitetit të sotëm kudo, është konteksti në të cilin ndodhin këto gjëra. Mënyra konstitucionale me të cilën veprohet, aspektet ligjore dhe mendoj se kjo mungon këtu. Ka akoma pak rrugë që duhet ndjekur për të arritur aty ku duhet.

Kë duhet të besojmë, apo çfarë duhet të besojmë kur ndërkombëtarët na flasin apo sugjerojnë? Dhe ju jeni një prej tyre...

Ndërkombëtarët po mërziten çdo ditë e më tepër me çështjen e zgjedhjeve të 2009-s. Mendoj se në fillim merr kohë që të kuptohet vështirësia e situatës dhe ne jemi shumë sensitivë në lidhje me këtë gjë. Ne erdhëm shumë shpejt në afërsi të këtij argumenti se çdo gjë që duhej bërë për të qartësuar atë çka do të dilte nga zgjedhjet. Duhet që të gjitha këto kërkesa të marrin një përgjigje. Si ato për të sqaruar parregullsitë, investigimet dhe transparencën. është e vërtetë që në fillim kishte shumë institucione, të cilat nuk i bënë gjërat siç duhet, por sot, pas shumë muajsh, mendoj se insistimi solli rezultat: janë tre faktorë këtu: e para, pyetja që po zgjerohet çdo ditë; së dyti, dinamika e gjërave, Shqipëria po kërkon të arrijë Europën dhe rruga për të arritur atje është një rrugë të cilën ne socialdemokratët duam t’iu shoqërojmë dhe mbështesim. është një rrugë, e cila kërkon që institucionet të funksionojnë dhe të ketë transparencë dhe rregulla të caktuara. Dhe sa më shumë shkojmë përpara, aq më shumë pyetje bëhen në Europë sesi Shqipëria mund të lëvizë në këtë proces me gjithë këto gjëra, të cilat e pengojnë atë dhe e mbajnë mbrapa. Nga ne socialdemokratët ka një vullnet për të ndihmuar dhe ne kemi luftuar për këtë gjë. Tani ka diçka që po e bllokon këtë dinamikë. Faktori i tretë është insistimi dhe përkushtimi. Nga njëra anë për insistimin ka pasur dyshime dhe, nga ana tjetër, përkushtimi i njerëzve në Shqipëri, të cilët duan sqarime dhe duan të shohin qartësi në këtë çështje. Mendoj se kjo po zvarritet çdo ditë e më tepër dhe kështu që numri i organizatave të huaja që do të përfshihen do të vijnë në rritje.

Cili duhet të jetë aksioni politik i së majtës shqiptare dhe PS-së, në rast se nuk arrihet një marrëveshje politike?

Me thënë të drejtën kjo është diçka që duhet të zgjidhet nga partitë politike këtu në Shqipëri. Ne kemi nevojë që të fillohet të identifikohen ato çështje të cilat duhet të zgjidhen këtu. Po ju them se unë shoh shqetësim midis socialistëve, sepse këta njerëz duan më të mirën për Shqipërinë. Dje, kur diskutuam këtu, morëm edhe rastet e dy ish-kryeministrave, të cilët sollën vendet e tyre në Komunitetin Europian, si Stanishi i Bullgarisë dhe Nastasi i Rumanisë. Në këtë bisedë, njerëzit dinë se çfarë duhet për të arritur anëtarësimin në Komunitetin Europian, por ka edhe një lloj shqetësimi midis nesh se ky proces do të vonohet për ju dhe kjo nuk është një gjë e mirë për vendin.

Marrë me shkurtime nga TCH

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›