E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza mban emrin e Sali Berishës

Gjinushi

Kriza politike ka vetëm një emër: Sali Berisha. Socialdemokrati Skënder Gjinushi ka përcjellë dje një mendim që mund të quhet tradicional tanimë, teksa në interpretimin e situatës aktuale, ai ka vënë gishtin e akuzës ndaj Kryeministrit aktual. Sipas tij, fryma e Berishës është bërë dominuese edhe në Kuvendin e Shqipërisë, ku mjafton të shihet procedura e ndryshimit të Rregullores për të kuptuar qëllimet politike për kontrollin e gjykatave. Kjo klimë e krijuar së fundmi e komprometon rëndë integritetin e Parlamentit dhe sidomos shumicës në arritjen e një zgjidhjeje për krizën politike. “S’mund të bëjë transparencën një Kuvend që nuk është transparent. Kuvendi aktual përfundimisht nuk është vendi i dialogut, por i diktatit. Këtë do ta pranojnë përfundimisht edhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi Gjinushi. Me një apel të përsëritur edhe ndaj komunitetit ndërkombëtar, deri më tani neutral në qëndrimet e veta, Gjinushi ka nënvizuar se PD ka prishur edhe urat e fundit të komunikimit që mbaheshin në këmbë vetëm përmes vullnetit opozitar. Zgjidhja politike mbetet e vetmja në kushtet aktuale, zgjidhje e cila në nëntekstin e përdorur nga socialdemokrati kalon vetëm nga zgjedhjet e parakohshme.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›