Berisha: Pranoni paketën dhe bashkëpunoni. Ruçi: Zgjidh krizën
Edi Rama nuk duhet ta refuzojë paketën e ofertave që mazhoranca i ka ofruar për të zgjidhur situatën politike në vend. Ky është qëndrimi që shfaqi dje Kryeministri Sali Berisha, një ditë përpara se afati për gjetjen e zgjidhjes mes mazhorancës dhe opozitës të përfundojë. Kreu i qeverisë la të kuptohej se mazhoranca që ai drejton nuk mund t’i ofrojë opozitës asnjë kompromis tjetër përveç ofertave të cilat prej muajsh përfaqësuesit e saj kanë bërë. Në seancën e pasdites ai ju kërkoi deputetëve të opozitës të heqin dorë nga antiberishizmi dhe të bashkëpunojnë për integrimin. E menjëhershme ishte përgjigja e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi që kërkoi nga kryeministri zgjidhjen e krizës politike. Batutat nuk kanë munguar as për vendimin e fundit të qeverisë për sekuestrimin nga Ministria e Kulturës të shtëpisë ku banon deputeti socialist Dashamir Peza. Kryeministri tha se kthimi i shtëpisë në muze ishte në shenjë vlerësimi dhe se ishte i pakuptueshëm reagimi i opozitës.
KryeministriSipas Berishës, është kryetari i PS-së, Edi Rama, ai që duhet ta shikojë situatën politike me realizëm dhe të mos hedhë poshtë ofertat që i janë drejtuar. “E ftoj zotin Rama që me realizëm, me vështrim dhe analizë realiste, në interesin më të mirë të partisë që përfaqëson, të mos refuzojë paketën e ofertës së mazhorancës”, deklaroi Kryeministri Berisha. Sipas tij, kjo paketë nuk buron nga asnjë detyrim ligjor i mazhorancës kundrejt opozitës, por është thjesht një shenjë respekti ndaj opozitës për sa i përket rolit të saj në demokraci. “Kjo ofertë udhëhiqet fund e krye nga respekti i palëkundur për opozitën, rolin dhe bashkëpunimin me të. Cilido që e shqyrton atë konstaton se kjo mazhorancë nuk ka asnjë detyrim ligjor për asnjërën nga premtimet e kësaj oferte, por kjo mazhorancë e bën atë në respektin më të madh për opozitën”, theksoi Berisha, duke shtuar se oferta vjen edhe për interesin e vendit dhe të shoqërisë. Në mënyrë të herëpashershme, Kryeministri Berisha ka theksuar në mënyrë të qartë se zgjidhjet që ai mund të gjente me opozitën për kapërcimin e situatës politike në vend, duhet të respektonin patjetër ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Sipas tij, mazhoranca është e hapur për transparencë, por ky proces duhet të bëhet brenda kornizave ligjore të vendit. Berisha nguli këmbë se asnjë partner ndërkombëtar nuk mund të japë ultimatume për qeverinë legjitime të një vendi. Në këtë kuadër Kryeministri ka theksuar se qeveria që ai drejton ka dalë nga zgjedhjet e vitit të shkuar, të cilat u konsideruan si të lira dhe të ndershme nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë. Kryeministri ka deklaruar se në zgjedhje nuk pati konstatime për manipulime apo numërim të parregullt nga ana vazhduesve dhe certifikuesve ndërkombëtarë. Sipas këtij arsyetimi, kreu i qeverisë ka theksuar se zgjidhja duhet të vijë për të pasur më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim me opozitën në rrugën drejt reformave që kërkohen në vend, por kjo zgjidhje nuk mund të vijë në mënyra ultimative apo të importuara. “Rruga që kemi përpara nuk është e lehtë, kemi një univers standartesh, kriteresh për t’i vendosur në këtë vend. është në detyrën tonë më madhore të bashkëpunojmë në vendosjen e këtyre standarteve. Nuk ka asgjë më të papranusheme sesa të mos punohet bashkërisht në këtë drejtim. Besoj se gjithë këto muaj janë një periudhë në të cilën mund të nxjerrim konkluzione të drejta për të ecur përpara. Beteja me mullinjtë e erës nuk zhvillohen, jepini fund antiberishizmit, mos e vendosni si parim tuajin”, deklaroi Berisha.
RuçiKreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, duke folur në seancën plenare theksoi se sot skadoi afati 2 javor i dhënë nga ndërkombëtarët prandaj Berisha duhet të zgjidh krizën. “Sot u mbushën dy javë të lëna për herë të parë pas shumë kohësh për të zgjidhur krizën dhe kryeministri në vend që të kishte një haber të mirë për zgjidhjen e krizës vjen dhe përshëndet vendimet e Brukselit”, u shpreh Ruçi. Shqetësimi ynë, vijoi ai, është se ju po e vrisni ëndrrën dhe ju duhet të plotësoni detyrat që kërkon Brukseli e të zhbllokoni krizën”, tha Ruçi sipas të cilit, në të kundërt, Berisha do të jetë vrasësi i ëndrrës europiane të shqiptarëve.
#