E Diel, 1 Nëntor 2026

Azem Hajdari “bashkon” Berishën, Topin e Topallin në Presidencë



Dekorimi i Azem Hajdarit me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bashkuar dje në një ceremoni solemne në Presidencë tre krerët e institucioneve të larta shtetërore. Prej kohësh Berisha, Topi e Topalli i kishin shmangur takimet, ceremonitë, apo dhe festat e përbashkëta, ndërsa dje që të tre kanë qenë të pranishëm në një moment shumë të veçantë, në dekorimin e “tribunit” të demokracisë. Presidenti Topi u dha dje familjarëve të udhëheqësit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90 urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Për kontribut të shquar në lëvizjen demokratike për rrëzimin e diktaturës komuniste, lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit demokratik, si një nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes Studentore”. Në emër të familjes Hajdari përshëndeti bashkëshortja, Fatmira Hajdari, e cila u shpreh e lumtur nga ky vlerësim që iu bë figurës së bashkëshortit të saj i cili u vra mbrëmjen e 12 shtatorit të viti 1998, pak metra larg selisë blu.

Biberaj merr pjesë në mbledhjen e Komitetit Politik të KE-së në Paris

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, ka marrë pjesë dje në mbledhjen e Komitetit Politik të Këshillit të Europës, e cila si çështje kryesore të rendit të ditës ka pasur situatën e krijuar pas konfliktit të fundit ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, vende anëtare këto me të drejta të plota të Këshillit të Europës. Në mbledhjen e djeshme merrnin pjesë, përveç anëtarëve të këtij Komiteti, edhe drejtuesit kryesorë të KE-së, anëtarët e Byrosë Parlamentare të KE-së, si dhe kryetarët e delegacioneve të Rusisë dhe Gjeorgjisë në KE. Në takim merr pjesë në cilësinë e zëvendës Presidentit të Asamblesë Parlamentare të KE-së edhe deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj. Byroja Parlamentare e KE-së ka vendosur për të zhvilluar një debat urgjent lidhur me konfliktin Rusi-Gjeorgji në sesionin e vjeshtës së Asamblesë Parlamentare të KE-së që do te zhvillohet në fund të muajit shtator në Strasburg, si dhe për të dërguar në Rusi dhe Gjeorgji një mision faktmbledhës të KE-së.

SHKB-ja, Komisioni i Sigurisë miraton në parim projektin

Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka miratuar gjatë mbledhjes së djeshme në parim projektligjin për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Deputetët e PD-së dhe ato të opozitës kanë rënë dakord që të kalojnë në parim këtë projekt që parashikon bazën ligjore për kontrollin dhe hetimin e punës së Policisë së Shtetit. Deputetët dëgjon një mbledhje më parë në seancë dëgjimore ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, të cilit i drejtuan pyete në lidhje me këtë projekt. Pas sqarimit të ministrit, i cili i garantoi deputetët e opozitës së projekti nuk synon aspak ngritjen e një institucioni të frikshëm dhe me shumë kompetenca si dhe nuk mund të hetojë zyrtarë të lartë që nuk janë pjesë e Policisë së Shtetit, deputetët ranë dakord që ta miratojnë në parim këtë draft. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së djeshme u vendos që ditën e premte të diskutohet për çdo nen ky projektligj.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›