Berisha: “Të plotësohen 221 vendet vakante në administratën publike”
Kryeministri Sali Berisha kërkoi gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë përshpejtimin e procedurave për plotësimin e 221 vendeve vakante në administratën publike. Berisha kërkoi organizimin e konkurseve me transparencë dhe favorizimin e studentëve që kanë mbaruar studimet jashtë vendit, në kuadër të projektit Brain Gain dhe studentët që kanë tituj shkencorë dhe studime pasuniveristare. “Sipas Departamentit të Administratës Publike, ekzistojnë 221 vende vakante. Me urgjencën më të madhe të hapni konkursin për ata që kane master ose doktoratë. Ata që kanë doktoratë do të pranohen menjëherë. Unë kërkoj në mënyrë absolute që ky proces të vihet në vijë brenda muajit tetor,”- është shprehur Berisha, i cili vuri theksin në krijimin e komisioneve transparente. “Krijoni komisionet më transparente. Të gjenden njerëzit me grada dhe tituj për këto vende, të cilët të konkurrojnë. Duhet të krijoni procedurat më transparente, të shpallni njoftimet dhe nuk janë pak një kontingjent i tillë i shkolluar mirë”, -është shprehur kryeministri.
Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë Berisha i kushtoi rëndësi dhe raportit të bërë publik dje nga Banka Botërore. Duke e vlerësuar këtë raport Berisha tha se Shqipëria renditet në vendin e dytë në botë në përmbushjen e reformave që ka ndërmarrë. “Në analizën që institucioni më serioz i planetit, Banka Botërore i bën reformave ekonomike të periudhës pranverë 2007 - pranverë 2008 e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në botë në përmbushjen e reformave që ka ndërmarrë. Në klasifikimin e përgjithshëm Shqipëria lë mbrapa në tërësi rreth 50 vende. Ky rezultat ishte për reformat e një viti, ndërkohë që reformat në vazhdim të këtij viti kanë bërë që Shqipëria të spostohet në pozicionin e saj nga vendi i 136 në vendin e 86, ndërsa në disa tregues Shqipëria po ecën drejt çatisë së botës”, - është shprehur kreu i qeverisë. Berisha gjithashtu informoi që duke filluar nga data 1 janar 2009 nuk do të shpallet asnjë prokurim në rast se ai nuk do të jetë elektronik. Sipas Berishës, prokurimet elektronike i kursejnë shtetit 200 milionë dollarë në vit. Për këtë qëllim ai u bëri thirrje të gjitha autoriteteve kontraktuese të vendit, në veçanti bashkive dhe komunave, që të marrin masa për aplikimin e prokurimit elektronik. Berisha gjithashtu kërkoi që procedura elektronike të realizohet edhe në tenderat për koncesionet,duke kërkuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia për Koncesionet që të garantojë të gjithë masat që edhe koncesionet të jenë elektronike.
11 Shtator 2008