Kufizimi i imunitetit, Patozi: “Jemi të gatshëm të ndryshojmë Kushtetutën”
Eljona Ballhysa
Demokratët janë të vendosur për të miratuar projektligjin për kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe për këtë qëllim ata kanë ftuar opozitën për të negociuar mbi draftin e paraqitur nga PD-ja. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar dje se PD-ja është e gatshme të ndryshojë dhe Kushtetutën në rast se kjo kërkohet nga PS-ja, vetëm për të miratuar kufizimin e imunitetit të deputetëve. Ky angazhim i Partisë Demokratike vjen dhe nga fakti se kufizimi i imunitetit të deputetëve është dhe një kërkesë e ndërkombëtarëve. Vetëm një ditë më parë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon Uidhers, i bëri thirrje politikës shqiptare që të miratojë projektligjin për kufizimin e imunitetit të politikanëve. Fill pas kësaj deklarate ka reaguar dje kryetari i deputetëve të PD-së, Astrit Patozi.
Ftesa
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ftoj dhe një herë Partinë Socialiste dhe opozitën në tërësi që të votojmë projektligjin për kufizimin e imunitetit. Ky vend, më shumë se kushdo tjetër, e ka të nevojshme ta heqë këtë barrierë të lartë që jo vetëm i bën hije, por edhe e pengon në mënyrë thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Ne duhet të ulemi bashkë dhe pa humbur kohë të ndahemi me ligj nga koraca e panevojshme e imunitetit. Duke shpresuar se opozita do të gjejë forca për ta mirëkuptuar këtë ofertë, ne mbetemi të vendosur të japim të gjithë kontributin tonë në funksion të këtij qëllimi, i cili nuk mund dhe nuk duhet të jetë i një partie të vetme. Ne jemi të gatshëm për çdo ofertë, qoftë edhe për ndryshimin e Kushtetutës”, - është shprehur gjatë një deklarate për shtyp Patozi. Ai gjithashtu ka përshëndetur dhe deklaratën e një dite më parë të ambasadorit Uidhers, duke e cilësuar atë një inkurajim që i bëhet politikës shqiptare. “Ne si grup parlamentar e konsiderojmë një inkurajim për klasën politike shqiptare, e cila duhet të dalë mbi paragjykimet dhe ndasitë e momentit dhe t’i japë vendit një kulturë të re te sjelljes dhe vendosjes së zyrtarëve para ligjit”, - është shprehur Patozi. Vetëm një ditë më parë Uidhers u bëri thirrje qeverisë dhe opozitës që të bashkohen në çështjen e kufizimit të imunitetit. “Siç kam rekomanduar në të kaluarën, mendoj se një prej hapave kyç që mund të ndërmerren në këtë drejtim ka të bëjë me imunitetin e anëtarëve të Parlamentit. Dhe do t’u bëja thirrje përsëri qeverisë dhe opozitës që të bashkohen për të marrë masa mbi çështjen e imunitetit”, - është shprehur Uidhers.
Drafti
Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend prej kohësh një projektligj për kufizimin e imunitetit të deputetëve. Rikthimi i këtij drafti për diskutim dhe miratim pritet të rihapë dhe një herë debatin me opozitën, e cila vazhdon ta konsiderojë këtë çështje si periferike në krahasim me çështjet e tjera të rëndësishme, përfshi këtu edhe reformën zgjedhore. Gjithashtu opozita e ka cilësuar këtë nismë ligjore si një tentativë të maxhorancës për të goditur deputetët e saj me akuza dhe shpifje të pabaza. Por kufizimi i imunitetit, sipas draftit të paraqitur, nuk e zhvesh plotësisht deputetin nga imuniteti, duke e ruajtur privilegjin. Në nenin 4 të projektit theksohet se “kufizimi i imunitetit nuk i shtrin efektet mbi masat dhe veprimet procedurale të mëposhtme: masa shtrënguese që shkaktojnë kufizim të lirisë së lëvizjes; kontrollin e personit; kontrollin e banesës ose të zyrës së deputetit; këqyrjen e personit; masën e arrestit; dërgimin e çështjes penale për gjykim”.
11 Shtator 2008