“Refleksionet” e Ramës u përgatitën në zyrën e Ramiz Alisë

Dosja duhet hapur, jo për t’i vënë dafina Edvinit, por për të zbuluar se pinjollët e Byrosë Politike ishin aty për të kryer detyrat e Sigurimit dhe u përcollën pas aktivitetit me fiatin polak që përdorte Sulo Gradeci
Edi Rama u përpoq shumë dje të bindtte opinionin publik se kishte qenë i vendosur në fillim të ’91 të merrte pjesë në rrëzimin e diktaturës, bile edhe të bashkëpunonte me pjesën më radikale që kërkonte ndryshim, por s’kishte mundur të bënte sa duhej, sepse pjesa që u printe demonstratave s’e kishte mirëpritur. Por 18 vjet nuk janë shumë dhe dokumente e dëshmitarë okularë rrëfejnë sot e gjithë ditën se si u përzgjodhën njerëzit e afërt me Byronë Politike, bash pinjolli Edvin dhe bashkëpunëtori i tij Ardian Klosi që të kryenin një shfaqje publike, për ta ndalur rrëzimin e regjimit thjesht tek “Refleksionet” e Akademisë së Arteve. Frazat e forta që u shqiptuan atje s’mund të mposhin rrethimin e fortë të njerëzve të regjimit, të cilët ishin atje për të siguruar qetësinë, që mesazhi i zotit Rama të përçohej pa andralla, që koka e tij të ishte e sigurtë e që gjithçka të mbetej tek oborri i Ramiz Alisë. Aksioni ka shkuar krejt ashtu si duhet, Edvini i ka thënë frazat e tij të forta e më pas ka dalë nga salla e Akademisë, për të hipur në fiatin polak që gjithë Tirana e dinte se e kishte në përdorim Sulo Gradeci. Përpjekjen për t’u ofruar si kalë troje brenda Partisë Demokratike dhe më pas angazhimin në radhë të parë si opozita e luksit që do t’i kryhej Sali Berishës, pasi ai të vinte në pushtet, në mënyrë që të mbroheshin kartelet ekonomike dhe establishmentet kriminale të Sigurimit të Shtetit – këto janë çështjet që s’duhet të reshtë së shpjeguari Edvini, sa herë vjen 8 dhjetori, jo të tregojë broçkulla se si ai e kishte dashur demokracinë, edhe pse kishte bërë kokrrën e qejfit, ditën e natën në Akademi, vetëm e me shokë, e kur ra regjimi, ai qe (vini re) bash në Athinë e në Selanik, për të përçuar edhe atje praktikat e artit të tij soc-komunist. Pinjolli i Byrosë Politike natyrisht që s’bëri dot dëm atëhere me “refleksionet” e porositura të Ramiz Alisë, në përpjekje për ta shndërruar opozitën demokratike në një rrip transmisioni, njëlloj si bashkimet profesionale, e po ashtu s’ngjit dot as sot, kur përbetohet se e ka dashur që atëhere Ramiz Alinë. Dosja e “refleksioneve” duhet hapur, jo për t’i dhënë dafina Edvinit, por për të zbuluar se organizatorët e vërtetë të aktivitetit ishte Sigurimi i Shtetit e se protagonistët u përcollën më pas me fiatin polak të Sulo Gradecit.