Shpërndahen mbi 300 tesera anëtarësimi të rinjve në FRPD
Deputeti Bujar Leskaj feston me 300 të rinj nga Vlora, 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë
Deputeti i Vlorës Bujar Leskaj, ka organizuar dje në ambientet e vila “Toskana”
një takim me mbi 300 të rinj dhe të reja të qytetit të Vlorës, me rastin e ditës së Rinisë. Në fjalën e tij para të rinjve, dhe në prani të kryetarit të degës së PD-së, për rrethin e Vlorës Agron Sharra dhe kryetarit të Forumit Rinor Hysni Sharra, deputeti Leskaj theksoi se Partia Demokratike vlerëson dhe çmon afrimin e të rinjve, jo vetëm si një proces që do ti shërbejë rigjenerimit të brezave në vazhdimësi, e që do të japin kontributin e tyre, duke ngritur lart vlerat që mbart PD-ja, por njëherazi duke ruajtur dhe respektuar identitetin e saj, si forcë politike, themeluese e lirive të shqiptarëve dhe avokate e të drejtave të popullit shqiptar. Deputeti Leskaj, vlerësoi 8 dhjetorin si ditën e lirive të mëdha, si ditën që shënoi mposhtjen e sinonimit të së keqes me emrin komunizëm dhe hedhjen e themeleve të demokracisë dhe pluralizmit politik. Ndaj, tha ai, Partia Demokratike çmon veprën e të rinjve dhe konsideron të rëndësishëm procesin e afrimit të tyre, fillimisht në strukturat e forumit, të cilat kanë një meritë të veçantë në sajë të vullnetit dhe kontributit që japin për PD-në, si në proceset zgjedhore ashtu edhe në proçeset madhore të zhvillimit të vendit.
Të rinjtë e ardhur posaçërisht nga Vlora, ishin të shoqëruar nga një përfaqësi intelektualësh të qytetit dhe sigurisht edhe të rrethinave të saj. Teserat e anëtarësimit të 300 të rinjve u shpërndanë nga kryetari i degës së PD-së, të rrethit Vlorë Agron Sharra dhe nga një tjetër përfaqësuese e PD-së Nexhi Xhuveli.
Ndërkohë që mbetet për t’u shënuar se mbi 20 veta nga Lumi i Vlorës shpallën krijimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, për këtë zonë.
Të rinjtë e pranishëm në takimin e organizuar nga deputeti Bujar Leskaj, ishin nxënës të shkollave të mesme, si “Ali Demi”, “Halim Xhelo”, kolegjit “Mystafa Qemal Ataturk” dhe të shkollës së mesme të komunës Kot-Drashovicë.
Partia Demokratike ka nisur prej kohësh anëtarësimet e reja jo vetëm në strukturat e partisë, por edhe në strukturat e forumeve rinore. Kjo nismë, që synon të mbledhë vlerat dhe parimet themelore të vizionit dhe përkushtimit të të rinjve, për ti shërbyer Partisë Demokratike dhe zhvillimeve të vendit tërësi, konsiderohet si tepër e rëndësishme nisur edhe nga fryma pozitive që të rinjtë gjejnë në PD.
Referuar anëtarësimeve të reja në PD, kryetari i degës së PD-së, për rrethin Vlorë Agron Sharra deklaroi se vetëm në tre vite është realizuar anëtarësimi i mbi 1200 anëtarëve të rinj, e cila u konfirmua edhe nga deputeti Bujar Leksaj, i cili shtoi se procesi i anëtarësimit në Partinë Demokratike nuk do të ndalet.