E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azem Hajdari, një jetë e shkurtër plot histori

Kur çastet e jetës i bën të përjetshme

Familja, që mundi dhimbjen për Azemin

Çastet e jetës së shkurtër i bëri të përjetshme. Familja e tij sot ngre kokën lart dhe kujton një të vërtetë: Azemi vazhdon të zotërojë... Thjesht, vetëm iku. Fëmijën e vogël e la në barkun e bashkëshortes. Azemi i vogël s’e njohu dot të atin. Rudinën e pengoi e ëma ta shihte të vdekur. Ajo duhej ta mbante mend vetëm të gjallë. Kiri e pa të rrëzuar me shpresën se do të ngrihej, ashtu shtatlartë siç kishte ndodhur edhe në atentatet e tjera. Kurse Fatmira, s’e la dhembjen që t’i mundë por kujtoi buzëqeshjen e Azemit që trembte çdo lot dhe frikë, kur i përcolli nga selia e PD-së drejt shtëpisë.

11 vjet më parë u nda nga jeta në mënyrë tragjike një prej figurave më të ndritura të historisë së pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Natën e 12 shtatorit, vrasësit u shfaqën në formën e djallit dhe goditën pa mëshirë. Ata ia kishin menduar vdekjen prej kohësh. Vdekja i erdhi e vrazhdë. I ishte afruar kushedi sa herë, por pa e frikësuar. Atë natë të 12 shtatorit, erdhi me mot të keq. Duhej të binte shiu dhe të fikeshin dritat. Edhe në errësirë, Azemi mendonte për dritën. Ai ishte në betejë me lirinë e kufizuar. Dhe vdekja thonë se është e ëmbël dhe e ndershme kur vdes për liri, ndaj Azem Hajdari ishte një dhuratë e madhe për mbarë shqiptarët dhe në mënyrë të veçantë për demokratët anembanë vendit, të cilët me 12 shtator të 1998-s, e qanë si një hero dhe sot e kujtojnë si një martir të demokracisë. Azem Hajdari, simbol i pluralizmit në Shqipëri, udhëheqës i Lëvizjes Studentore të vitit ’90 që solli rrëzimin e diktaturës komuniste, u kujtua dje në 11-vjetorin e ndarjes nga jeta (12 shtator 1998) me një ceremoni kujtimore që u zhvillua pranë memorialit të tij, pranë selisë së PD-së. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, paraditen e djeshme ishte për vizitë në familjen e Azemit. Humbja e Liderit të Dhjetorit, Azem Hajdari, u përkujtua edhe nga krerët më të lartë të PD-së, familja Hajdari si dhe shumë miq dhe simpatizantë të Heroit të Demokracisë bënë homazhe pranë memorialit, ku 11 vjet më parë u vra deputeti Azem Hajdari dhe truproja e tij, Besim Çera. Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, dhe sekretari i përgjithshëm, Ridvan Bode, e cilësuan Hajdarin si zërin e së vërtetës dhe duke e vlerësuar rolin që ai pati në pluralizmin politik. Më pas, si çdo vit, drejtues të lartë të Partisë Demokratike kanë vizituar familjen Hajdari për të përkujtuar Heroin të Demokracisë. Azem Hajdari u shqua për vetitë e tij, që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990 për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë, pas vdekjes, edhe Urdhri i lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës.

Topi: Azemi u vetëmohua për demokracinë

Për kreun e shtetit, Bamir Topi, Azem Hajdari mbetet një figurë e paharrueshme, me vlerat e tij të rralla demokratike dhe patriotike që e shndërruan atë në “Pishtarin e Demokracisë” dhe në një hero për shumë shqiptarë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi familjen e ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari, me 11-vjetorit të vrasjes së tij. Gjatë bashkëbisedimit me familjarët, kreu i shtetit përmendi dhe ndau me ta disa prej kujtimeve më të veçanta dhe më të paharrueshme të njohjes, miqësisë dhe punës me të ndjerin Azem Hajdari, duke nënvizuar forcën e tij të karakterit, guximin, vetëmohimin në betejën për demokraci në Shqipëri. "Natyrisht që vitet kalojnë shumë shpejt, por Azemi mbetet në memorien e gjithsecilit, sidomos të miqve dhe të shokëve të tij. Një njeri shumë i veçantë, me një karakter të fortë, gati-gati të papërsëritshëm. Kjo është arsyeja që ne e kujtojmë Azemin, jo vetëm në përvjetorin e rënies së tij, por në çdo moment tjetër kur flitet për heronj", - tha z. Topi.

Topalli: Azemi, një kalorës i lirisë

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cilësoi dje Azem Hajdarin si kalorës të demokracisë. Topalli bëri dje homazhe në memorialin e Heroit të Demokracisë, liderit të lëvizjes studentore, deputetit Azem Hajdari, në përkujtim të përvjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Topalli, e shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, nënkryetari, Astrit Patozi, bashkëshortja dhe fëmijët e Azem Hajdarit, të afërm e përfaqësues të Partisë Demokratike vendosën kurora me lule në nderim të liderit të Dhjetorit '90, vrarë në 12 shtator 1998. "Azemi ishte kalorës i lirisë. Ishte dhe mbetet modeli i politikanit të ri për të guxuar dhe për të qenë në çdo moment i zoti dhe i aftë për të mbrojtur atë që beson. Kjo është gjëja më e rëndësishme për çdo politikan të ri", - tha kryetarja e Kuvendit. Më pas, kryetarja e Kuvendit së bashku me përfaqësues të Partisë Demokratike bënë një vizitë në shtëpinë e Azem Hajdarit.

Azem Hajdari në 45 vite jetë

Azem Hajdari u lind në 11 mars 1963 në rrethin e Tropojës, në skajin verilindor të Shqipërisë. Pas përfundimit të shkollës së mesme në qytetin e tij të lindjes, ai vijoi studimet në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës, ku dhe u diplomua për Filozofi në vitin 1993, ndërsa në vitin 1995 u diplomua si jurist. Në vitet 1993-1994 ndoqi kualifikimin pasuniversitar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Gjuhë Angleze e Filozofi, ndërsa në 1996 për Politikat e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, në kuadrin e NATO-s, në Garmisch-Partenkirchen në Gjermani. Në dhjetor të vitit 1990, ai ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore për shembjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, ndërsa në vitet 1991 - 1993 nënkryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e para parti opozitare pas gati 50 vjet diktaturë komuniste. Deputet i PD-së në katër legjislatura, Azem Hajdari ka qenë anëtar i kryesisë së kësaj partie dhe në vitet 1992-1996 kryetar i Komisionit kuvendor për Rendin Publik dhe SHIK-un. “Qytetar Nderi” i pothuajse të gjitha bashkive e komunave të Shqipërisë, si në Tiranë, Vlorë etj., në vitin 2002 Azem Hajdari u nderua me urdhrin “Nderi i Kombit”, ndërsa në vitin 2003 me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›