Nafta, inspektorati: Kujdes me D2-shin
Inspektorati Qendror Teknik shprehet se pavarësisht heqjes nga tregu të naftës D2, përsëri në treg ka raste abuzime në treg me cilësinë. Kryeinspektori Ilir Kurti deklaroi se nga kontrollet e ditëve të fundit është bërë një sekuestrim sasie naftë, e cila ishte jashtë kushteve të lejuara. “Kush tregtar që ofron naftë D2, mashtron sepse nuk është e tillë. Ai me siguri mashtron duke bërë ndonjë përzierje”, - tha Kurti, duke paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes. Megjithatë, për shkak të remonteve të parashikuara, ARMO ka rreth dy muaj që nuk prodhon naftë D2. Drejtuesit e saj janë zotuar disa herë se cilësia e naftës do të jetë më e mirë dhe brenda parametrave të kërkuar nga qeveria. Sikurse është bërë publike, tregu shqiptar nuk do të ketë më naftë D2, duke filluar nga muaji janar i vitit 2010. Masa e re lidhet me standardet e reja për të mbrojtur mjedisin, por edhe me kushtet që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj qeverisë shqiptare. Aktualisht në treg shitet naftë e cilësisë D1, D2 dhe benzinë. Prej kohësh kompanitë e shumta kanë konkurrencën e tyre për të futur në Shqipëri naftë të cilësisë sa më të mirë, madje dy prej tyre tregtojnë karburant me parametra që pak vende të BE-së i kanë garantuar.