E Diel, 1 Nëntor 2026

“Jo zyrtare” Të pathënat e ministrave të Berishës



Atëherë kur menduan se gjetën qetësinë, tërhoqën vëmendjen e të gjithëve... Kriteret e Flexner-it i kishin përmbushur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dija dhe profesionalizimi i tyre mundi të krijonte një fuqi kohezive që e konstituon shoqërinë tonë. Secilit prej 15 ministrave të kabinetit “Berisha 2” iu deshën vite të tëra për t’u formësuar në profesionet e mëparshme dhe vite të tjera për t’u bërë politikanë të mirëfilltë. Secili kishte krijuar rrugën e vet, derisa një ditë me të thënat dhe të panjohurat e tyre, u bashkuan nën një moto: “Shqipëria po ndryshon”

Janë vetë ekzistimi i dijes. Jeta u mori vite për ta sistematizuar dhe më pas për ta shpërhapur në mënyrë të dobishme për qytetarët shqiptarë.

Kriteret e Flexner-it i kishin përmbushur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dija dhe profesionalizimi i tyre mundi të krijonte një fuqi kohezive që e konstituon shoqërinë tonë. Secilit prej 15 ministrave të kabinetit “Berisha 2” iu deshën vite të tëra për t’u formësuar në profesionet e mëparshme dhe vite të tjera për t’u bërë politikanë të mirëfilltë. Secili kishte krijuar rrugën e vet, derisa një ditë me të thënat dhe të panjohurat e tyre, u bashkuan nën një moto: “Shqipëria po ndryshon”. Sot janë një ekip prej 15 vetash që bashkë me Kryeministrin Sali Beriha do të qeverisin vendin për 4 vitet e ardhshme.

Atëherë kur menduan se gjetën qetësinë, tërhoqën vëmendjen e të gjithëve...

Bregu, sharmi i veçantë i PD-së

Një zonjë e vetme në qeverinë “Berisha 2”, por një sharm i veçantë në PD dhe mes 14 burrave në qeveri. Oratoria e Majlinda Bregut ishte “modeli ndryshe në politikë”. Falë saj u bë shumë shpejt më e dallueshmja në poltronat e politikës. Sapo kishte lindur djalin dhe angazhimi i njëhershëm në jetën parlamentare kishte befasuar shumëkënd në PD. Nuk mund t’i shpëtonte as atij që i kishte garantuar mbështetje që në momentet e para të përfshirjes në politikë, liderit të PD-së, Sali Berisha. Në një nga mbledhjet e para të grupit parlamentar, doktori nuk ngurroi ta pyeste plot dashamirësi prindërore: “Znj. Ajazi, si e quajnë djalin...? Dhe Enesi i vogël, kishte thithur ajrin e politikës që në barkun e nënës kur bënte fushatën elektorale në çdo pëllëmbë të zonës së Laprakës në qershor të 2005-s. Për 30-vjeçaren Majlinda Bregu ishte koha e ngarkesës së madhe, pasi në atë periudhë të 2005-s, punonte për të mbrojtur doktoraturën në Sociologji, fenomene kulturore dhe procese normative, pranë Universitetit “Carlo Bo” në Itali. Por falë energjive të saj, dijes dhe përkushtimit, ajo mundi t’ja dalë suksesshëm, duke u rezistuar edhe zilive brenda llojit ndaj mundi të ecte gjithnjë e më përpara në PD dhe në qeveri.

Poezia, pasioni i hershëm i Olldashit

Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, në fëmijëri shkroi poezi... Derisa vargjet i mblodhi në një vëllim poetik. Në gjen kishte trashëguar artin e mrekullueshëm të të shkruarit, por erdhi një ditë kur ndërpreu vargun për vete dhe nisi gazetarinë, informimin e publikut. Për çudi, dëshira për poezinë ishte pështjelluar keqas me atë politike. E nisi me rubrikat politike, për t’u bërë shumë shpejt protagonist i saj. Tashmë ka krijuar profilin e qartë politik, duke u shndërruar në një nga figurat kyçe të PD-së.

Basha, lulëzimi perendimor që gjallëroi PD-në

Kur erdhi në Partinë Demokratike 5 vjet më parë, mbarti me vete një kulturë të re, atë të perëndimit, e cila gjallëroi së tepërmi demokratët që jetonin një opozitë të gjatë tetëvjeçare. Shumë kush ato ditë pohoi: “Do të jetë ndër më të mirët, sepse ka edukatë të mirë...” Lulzim Basha ishte befasia brenda së djathtës shqiptare. Një gjetje brilante e liderit të PD-së Sali Berisha që përmbushi më së miri vizionin e qartë për një politikë të re vizionare. Madje edhe atëherë kur kundërshtari politik e vuri në shënjestër, z.Basha gjithnjë qëndroi larg ofendimit dhe fyerjes, sepse në asnjë rast nuk do të mbetej pa argumente... Ai e kishte të qartë se mendjet e vogla janë ato që diskutojnë njerëzit, kurse mendjet e mëdha diskutojnë idetë. Lulzim Basha në PD erdhi për të mos i bërë hije askujt, madje ishte si një lulëzim intelektual që la përshtypjen më të mirë që në momentet e hyrjes në politikën e djathtë dhe fill më pas në ekzekutiv. Z. Basha është imazhi i politikanit alternativ, me mendje të hapur dhe pranues për ndryshimet e reja, aty ku e djathta synon të ardhmen e saj.

Nishani, ushtaraku amerikan i PD-së

Në zyrën e re politike, në katin e parë të ndërtesës së PD-së, ku sapo kishte marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm të degës së Tiranës, Bujar Nishanin shpeshherë e “shoqëronte” vajza e vogël. Asaj i ishte prishur regjimi i përditshëm që nga kopshti i ati ta çonte drejt e në shtëpi. Koha e përbashkët, babë e bijë, tashmë ishte më e kufizuar për shkak të angazhimit të ri në politikën e djathtë. Erdhi nga bota ushtarake, pasi Bujar Nishani, në vitin 1996 në San Antonio Teksas, USA, kreu studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004 krye masterin për Studime Evropiane. Një ushtarak i mirëfilltë që i shkonte për shtat ministrit të Punëve të Brendshme. Por, një paralizë e papritur dhe një operacion që i dha shpresën e madhe se gjendja e vështirë do të ishte vetëm e përkohshme, detyroi Kryeministrin Sali Berisha të bënte zhvendosjen e Nishanit drejt Ministrisë së Drejtësisë. Një politikan me një karrierë të suksesshme në PD dhe qeverisje, Nishani gëzon një integritet ndër më të spikaturit në ekzekutivin e ri 2009-2013.

Xhaferri, kur drejtonte Hekurudhën Shqiptare

Ishte një kohë, kur drejtonte hekurudhat shqiptare. Bëhet fjalë për vitin 1996, kohë kur qeverisnin demokratët. Ferdinand Xhaferri kishte mbështetur PD-në që në fillimet e saj, duke u bërë një nga protagonistët kryesorë në degën e Durrësit derisa mori kryesimin e saj. Por, erdhi një moment kur duhej të riniste sërish studimet, tashmë në një kontinent të largët. Në vitet 2001-2002, Ferdinand Xhaferri u diplomua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në master për Siguri Kombëtare dhe master për Siguri Ndërkombëtare. Ministri i ri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është përfaqësues në 4 legjislatura të Parlamentit, bashkëkryetar i Komisionit parlamentar për Integrim në NATO dhe aktualisht mban edhe postin e drejtorit të marrëdhënieve me publikun në Partinë Demokratike.

Bode, nikoqiri i shtëpisë dhe i qeverisë

Ridvan Bode është ndër meshkujt e rrallë që e njeh kursimin e parasë në mënyrën më brilante. Një nikoqir, që do ta kishte zili jo vetëm lloji i tij. Siç duket, kjo është një ndër cilësitë kryesore, që siguruan Kryeministrin Sali Berisha për të mos e larguar z. Bode nga Ministria e Financave edhe për 4 vitet që vijnë. Edhe atëherë kur ishte gjallë bashkëshortja e tij, Ridvan Bode udhëhiqte financën e shtëpisë. Sot, që ajo nuk jeton më, Bode njeh edhe më mirë përllogaritjen e parasë dhe shpërndarjen e saj brenda familjes. Por, prej 4 vitesh ai kalon në sitë gjithë financën shqiptare. Ridvan Bode do të kujtohet në fillesat e tij në këtë post në vitin 1996, kur paralajmëroi se paratë që po futeshin masivisht me fajde nga shqiptarët, janë të rrezikuara për shkak të falimentimit.

Myqerem Tafaj, nga Shtutgarti në qeveri

Ka lënë Shtutgartin për t’iu bashkangjitur 4 vjet më parë ekipit të Kryeministrit Sali Berisha. Profesori i Universitetit të Stuttgart-Hohenheim, shumë shpejt u bë një nga bashkëpunëtorët e afërt të Kryeministrit, duke u emëruar si sekretar i përgjithshëm i z. Berisha. Në janar 1997, ka fituar titullin “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës, kurse në shkurt 1996 është zgjedhur “Doktor i Shkencave” në Universitetin e Stuttgart-Hohenheim, Gjermani. Ministri i ri i Arsimit dhe Shkencës është kandidat i Shkencave (UBT) konvertuar në "Doktor". Ndërkohë që gjatë viteve 1977-1982 ka përfunduar studimet pasuniversitare në Fakultetin e Veterinarisë.

Dy momentet e vështira të jetës së Mediut

Janë dy momente të vështira të jetës së tij, që Fatmir Mediun e bëjnë të bjerë moralisht. Beteja me sëmundjen e djalit, të cilën e mposhti me kujdesin atëror, dhe tragjedia e Gërdecit. Për këtë të fundit duket se borxhin më të madh ia ka familjes së tij për atë që ndodhi në Gërdec. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk kërkoi të shfajësohej për atë që ndodhi më 15 mars të 2008-s, por as të fajësohet, ndërsa orën 12:00 të asaj dite, Mediu e quajti si momentin më të keq të jetës së tij. Por, ishte ai që kishte punuar për dy vjet me radhë në krye të dikasterit të mbrojtjes për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Pak ditë pas marrjes së ftesës, Mediu u ndie krenar për këtë ngjarje të madhe për shqiptarët, ndërsa kishte ndier keqardhjen që nuk ishte pjesë e delegacionit të Shqipërisë në Bukuresht. E pengoi pikërisht tragjedia e Gërdecit. Kështu, Kryeministri Sali Berisha ka përfshirë në kabinetin e tij, z. Mediu, tashmë në postin e ministrit të Mjedisit.

Zyrtare, ministrat, nga erdhën dhe ku mbërritën

Kryeministër - Sali Berisha

Ka lindur në 15 tetor 1944 dhe është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 1967. Ai u specializua në degën kardiologji dhe më pas u emërua si asistent/profesor mjekësie në të njëjtin universitet dhe mjek kardiolog në Spitalin e Përgjithshëm të Tiranës. Gjatë viteve ’70, z. Berisha u dallua për punën kërkimore në fushën e kardiologjisë në Shqipëri dhe u emërua profesor kardiologjie në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1989 iu dha titulli Profesor në Universitetin e Tiranës.

Në dhjetor të vitit 1990, z. Berisha u bashkua që ditën e parë me demonstratat e studentëve që detyruan qeverinë të miratonte krijimin e një sistemi shumëpartiak. Ai u bë drejtuesi i Partisë Demokratike (PD), partia e parë dhe më e madhja e opozitës së re dhe u zgjodh zyrtarisht kryetar i saj në shkurt të vitit 1991 në Kongresin e parë Kombëtar të partisë. Ka qenë President i vendit në vitet '92-'97. Ai u emërua Kryeministër i Shqipërisë me 8 shtator 2005, me një shumicë prej 81 votash në Parlament. Z. Berisha zotëron mirë gjuhën angleze, frënge, italiane dhe ruse dhe deri më sot ai drejton PD-në.

Zv.kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme - Ilir Meta

Ilir Meta lindi më 24 mars të vitit 1969 në Skrapar. Është diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Tiranës dhe ka vazhduar edhe studimet pasuniversitare në këtë fushë. Aktualisht është kryetar i LSI-së. Në vitet 1999-2002 ka mbajtur postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Nga viti 1992 në vazhdim, Ilir Meta është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, ku ka qenë anëtar i disa komisioneve dhe gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme. 6 vjet më parë ka mbajtur postin e zv.kryeministrit dhe të ministrit të Jashtëm në qeverinë "Nano".

Ministër i Punëve të Brendshme - Lulzim Basha

Lulzim Basha ka mbaruar studimet e larta në degën Juridik, në Universitetin e Utrecht-it, në Holandë. Në muajt shtator 2005 - maj 2007 ka qenë ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Që prej majit 2007 - shtator 2009 mban postin e ministrit të Jashtëm. Deputet në Kuvendin e Shqipërisë që prej vitit 2005, kur u bë edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në janar të vitit 2005 u bë koordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave në Partinë Demokratike. Në nëntor 2002 - janar 2005 ishte këshilltar special për tranzicionin në Departamentin e Drejtësisë UNMIK, Prishtinë, Kosovë. Në tetor 2001- nëntor 2002 zv.shef i kabinetit të drejtorit të Departamentit të Drejtësisë UNMIK. Korrik 2000 - tetor 2001 këshilltar ligjor në Departamentin e Drejtësisë UNMIK.

Ministër i Shtetit - Genc Pollo

Lindi në vitin 1963 dhe është diplomuar në Shkencat Historike, në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1986-1988 ka punuar si kërkues shkencor në Akademinë e Shkencave. Në vitin 1988-1990 ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Vjenës. Është zëdhënësi i parë i Partisë Demokratike dhe anëtar kabineti në qeverinë Berisha. Nga viti 1992 deri më 1996 ishte këshilltar i Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Në 1996 hyri në Kuvend si deputet. Në mars të vitit 1997 mori postin e sekretarit të marrëdhënieve me jashtë të PD-së. Në zgjedhjet e vitit 1997 rizgjidhet deputet dhe në 2001 krijon Partinë Demokrate të Re, e cila më pas u shkri me PD-në.

Ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit - Genc Ruli

Genc Ruli lindi në 11 prill të vitit 1958. U diplomua në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 1981. Në vitet 1978-1982 u diplomua në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1986 mbron gradën shkencore "Doktor në Ekonomi", në Fakultetin e Ekonomisë, në Tiranë dhe më pas në vitin 1994 po në këtë fakultet i jepet titulli Profesor. Nga viti 1993 dhe aktualisht është pedagog i Kontabilitetit në Fakultetin e Ekonomisë. Që prej vitit 1996 është president i Institutit të Studimeve Bashkëkohore. Në vitin 1992 - maj 2005 është kryetar i Këshillit Mbikëqyrës, Instituti i Sigurimeve (INSIG). Në vitin 1992-1993 mban postin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe në qershor - dhjetor 1991 është ministër i Financave në qeverinë e stabilitetit.

Ministër i Ekonomisë - Dritan Prifti

Dritan Prifti lindi më 27 gusht 1968 në Berat. U diplomua në degën Anglisht në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka ndjekur masterin në Universitetin e New Mexico-s. Në vitet 2001- 2005 ka qenë ministër Shteti për Energjinë, drejtor i KESH-it, shef kabineti në Kryeministri dhe shef kabineti në Ministrinë e Financave. Dritan Prifti hyn për herë të tretë në Kuvend dhe për të tria zgjedhjet parlamentare ai është zgjedhur deputet në qarkun e Fierit. Dritan Prifti është njëkohësisht edhe anëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe deputet i kësaj force politike.

Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta - Spiro Ksera

Sprio Ksera ka qenë prefekt i Qarkut të Gjirokastrës që në vitin 2005 dhe në zgjedhjet e 28 qershorit u zgjodh deputet nën siglën e PD-së. Ai lindi në Derviçan, Gjirokastër dhe u diplomua në 1985-1990 në Universitetin e Tiranës, dega Inxhinieri Mekanike. Në vitin 1992 merr diplomë master. Është njëkohësisht anëtar i shoqatës së inxhinierëve të Greqisë, kryetar i organizatës "Omonia" që në vitin 2000 dhe anëtar i Këshillit të Qarkut, Gjirokastër. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Ksera braktisi PBDNJ-në për të kaluar në Partinë Demokratike.

Ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve - Ferdinand Xhaferri

Ferdinand Xhaferri aktualisht mban postin e Sekretarit të Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike. Aktivist i njohur në Partinë Demokratike, ish-drejtues i degës së PD-së në Durrës, përfaqësues në 4 legjislatura të parlamentit, bashkëkryetar i Komisionit parlamentar për Integrim në NATO. Në vitet 2001-2002 diplomohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në master për Siguri Kombëtare dhe master për Siguri Ndërkombëtare. Prej disa muajsh mban postin e sekretarit të marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike dhe në zgjedhjet e fundit kuvendore ishte kryesues i listës së PD-së për Qarkun Durrës.

Ministër i Shëndetësisë - Petrit Vasili

Vasili lindi më 4 qershor 1958. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Mjekësisë. Ka ndjekur studimet pasuniversitare në Itali. Nga 2001-2003 ka qenë zv.ministër i Shëndetësisë. Në vitin 1992 ka qenë anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Anëtar i Komisionit të Shëndetësisë të PS-së nga viti 1993 deri në vitin 1997.

Nga viti 1983-1988 ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Shëndetit Publik. Nga viti 1988-1991, specializim pasuniversitar në Romë (Itali). Nga viti 1991-1992 ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Higjienës.

Ministre e Integrimit - Majlinda Bregu

Majlinda Bregu lindi më 19 maj 1974. Në mars 2007 u emërua si ministre e Integrimit Evropian dhe zëdhënëse e qeverisë. Është diplomuar për Shkenca Sociale në Universitetin e Tiranës, ku ka marrë në 2003 edhe titullin “Master”.

Doktoraturën e ka ndjekur në Universitetin e Urbinos, në Itali.Korrik 2005 - mars 2007, kryetare e Delegacionit Parlamentar Shqiptar në Parlamentin Evropian.

Anëtare e Komisionit parlamentar për Shëndetin dhe Çështjet Sociale. Kryetare e Nënkomisionit për të Miturit dhe Barazinë Gjinore. Prill 2004, koordinatore e Politikave Sociale në Komitetin e Orientimit të Politikave, PD.

Ministër i Drejtësisë - Bujar Nishani

Bujar Nishani lindi më 29 shtator 1966. Në vitin 1988 mbaroi akademinë ushtarake "Skënderbej" dhe në 2004-n ndoqi Universitetin e Tiranës, Fakulteti Juridik; Instituti i Gjuhëve të Huaja.Në vitin 1966 në San Antonio Teksas, USA, kryen studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004 kryen masterin për Studime Evropiane.

Nishani në vitin 1988 ka ushtruar profesionin e pedagogut në akademinë ushtarake "Skënderbej". Në vitin 1993 ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes, marrëdhëniet me jashtë; 1994 Ministria e Jashtme, marrëdhëniet me NATO-n; 1996 Ministria e Mbrojtjes, kabineti i ministrit; 1997 në profesion të lirë; kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euroatlantikë: Bordi i Institutit "Goethe".

Ministër i Punëve Publike dhe Telekomunikacionit - Sokol Olldashi

Sokol Olldashi lindi më 17 dhjetor 1972. Është diplomuar për Drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1999-2001 ka qenë kryeredaktor në televizionin ATN1, 1995-1999 zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën "Albania", 1994-1996 reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Nga 2002-2009 mban postin e kryetarit të Forumit Rinor të PD-së dhe nga 2005-2009 drejton PD-në e Tiranës. Kryetari i komisionit hetimor për shqyrtimin e ligjshmërisë së përdorimit të fondeve publike dhe të ardhurave të tjera në Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës për periudhën 1992-2002. Ish-ministër i Brendshëm dhe ish-kandidat i PD-së për Bashkinë e Tiranës.

Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave - Fatmir Mediu

Fatmir Mediu lindi më 21 janar 1967. Mediu që nga viti 1997 dhe në vijim është kryetar i Partisë Republikane. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Gjeologji-Miniera, dega e Inxhinierisë së Nxjerrjes së Naftës. U emërua ministër i Mbrojtjes në shtator 2005 - mars 2008 në kabinetin 'Berisha'. I vetmi deputet i PR-së në legjislaturën e 18-të i zgjedhur në Qarkun e Tiranës. Në vitet 1991-1992 kryetar i PR-së, dega Fier; 1992-1997 zv.kryetar i PR-së; 1990-1991 inxhinier në Ndërmarrjen e Nxjerrjes së Naftës, Patos.

Ministër i Financave - Ridvan Bode

Ridvan Bode lindi më 26 qershor 1959. U diplomua në Universitetin e Tiranës me titullin "Financier i lartë". 1992-1995 përfundon ciklin e thelluar të studimeve pasuniversitare, Montpelier (Francë) dhe fiton titullin “Master of Science” në opsionin "Kërkim shkencor", me vlerësimin "Cum Maxima Laude". Në vitet 1991-1995, pedagog i Analizës Financiare në Universitetin Bujqësor Tiranë. 1995-1996 drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (Ministria e Financave)

Ministër i Financave në vitet 1996-1997. Që prej vitit 1997 dhe në vazhdim Ridvan Bode ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së.

Ministër i Arsimit dhe Shkencës - Myqerem Tafaj

Myqerem Tafaj lindi më 14 nëntor të vitit 1957 në Dibër. Për katër vjet ka punuar si këshilltar i Kryeministrit Berisha. Në janar 1997 ka fituar titullin “Profesor” në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Në shkurt 1996 është zgjedhur “Doktor i Shkencave” në Universitetin e Stuttgart-Hohenheim, Gjermani. 1988 Kandidat i Shkencave (UBT) konvertuar në "Doktor".1977-1982 Studime pasuniversitare në Fakultetin e Veterinarisë. Në shkurt 2006 është emëruar sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, funksion të cilin e ka deri në mars të vitit 2007.

Ministër i Mbrojtjes - Arben Imami

Arben Imami lindi më 21 janar 1958. Në vitin 1981 mbaroi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Në vitin 1999-2000 ndoqi studimet në Universitetin "Georgetwën" në Washington. Ka mbajtur pozicionin e ministrit të Drejtësisë në vitin 2001 dhe ministër i Reformës Legjislative dhe Marrëdhënieve me Parlamentin në vitin 1997-1999.

Ka qenë bashkëkryetar i Komisionit parlamentar për Hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë. Është hera e katërt që Imami hyn në Kuvend, pas vitit 1992-1996 dhe vitit 1997-2005 dhe vitit 1991-1992. Në 1990-1992 ishte nënkryetar i PD-së dhe kryetar i Komisionit Elektoral. Pas shkëputjes nga PD-ja në vitin 1992, bëhet pjesë dhe sekretar i përgjithshëm i Aleancës Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›