Harxhi: Bojkoti i opozitës nuk dëmton imazhin e vendit
Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edit Harxhi, deklaroi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se bojkotimi i Parlamentit nga opozita nuk e dëmton imazhin e Shqipërisë, por vetëm imazhin e opozitës. E ndodhur në një vizitë zyrtare në SHBA, Harxhi argumentoi se askush nuk ka mbështetur këtë bojkot të opozitës, duke shtuar se procesi zgjedhor i 28 qershorit është vlerësuar nga ndërkombëtarët. “Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s nuk mund të pranojë kurrsesi që opozita të mbetet jashtë Parlamentit apo që reformat demokratike të zhvillohen jo me norma demokratike”, - shtoi Harxhi. Ajo vuri në dukje se Shqipëria është në pritje të liberalizimit të vizave me vendet e BE-së dhe askush nuk do të dëshironte që në vend të shihej një opozitë jashtë institucioneve demokratike, duke kërkuar diçka të paqartë. “Ne, - tha Harxhi, - kemi një qeveri të legjitimuar, një Parlament të mbledhur, të rikonfirmuar, si dhe raporte të institucioneve të veçanta, duke përfshirë dhe SHBA, që flasin për arritjet e zgjedhjeve të 28 qershorit”. Për sa i përket numërimit të votave, Harxhi u shpreh se ka pasur transparencë të plotë në numërimin e tyre. “Në pritje të raportit përfundimtar ndërkombëtar për zgjedhjet e 28 qershorit, gjatë këtyre ditëve kam zhvilluar disa takime mjaft të frytshme në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, ku kam marrë vetëm vlerësime për sa u përket arritjeve të zgjedhjeve të 28 qershorit”, - vijoi zëvendësministrja e Jashtme.