E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azgan Haklaj nderohet me çmimin “Pjetër Bogdani”

Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës ndan çmimet për personalitetet shqiptare

Forumi Shqiptar i Kulturës, Edukimit e Shkencës (AFCES), në fokusim të kontributeve të personaliteteve shqiptare e të huaja, do të ndajë disa çmime të ndryshme gjatë aktiviteteve që do të zhvillohen këtë vit për persona të shkencës, artit, sportit dhe kulturës. Në njoftimin e forumit, më tej thuhet se në spektrin e veprimtarive shkencore, arsimore, kulturore e sportive forumi nderon me çmimin “Gjon Buzuku” prof.Mixhait Reçin, për sipërmarrje të rëndësishme e arritje të vlerësueshme. Ai ka themeluar e ngritur në nivele të standardit europian Universitetin Mbretëror “Iliria” në Prishtinë, si dhe është bashkëthemelues i fakultetit ekonomik në Universitetin e Tetovës. Profesori i mirënjohur është ndër figurat më novatore akademike dhe ka rreth 30 vite eksperiencë në arsimin e lartë në Kosovë.
Ndërkaq, një tjetër çmim i dhënë nga forumi është “Pjetër Bogdani”, i cili i jepet Muhamet Malos, për themelimin e “Tele-Sport”-it, të vetmit televizion për botën sportive në hapësirat mbarëshqiptare, si dhe për ngritjen e teleferikut “Dajti Ekspres”, që është vepra e parë e këtij lloji, pra ku është investuar për turizmin, është marrë me bamirësi, etj. I njëjti çmim, “Pjetër Bogdani”, i jepet edhe Azgan Haklajt për përkushtimin e tij qëndrestar e misionar në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të kohës. Ai është një veprimtar i mirënjohur i shoqërisë civile dhe botës kulturore, si president i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar. Disa nga sipërmarrjet e tij kanë qenë manifestimet kulturore “Një komb – një qëndrim” në Tiranë; “Një Komb- një kulturë” në Ferizaj; “Një komb – një histori” në Vlorë”. Gjithashtu, Haklaj është president i festivaleve të ndryshme si ai i Këngës dhe Valles Çame, Sofrës Dardane, etj.
Me çmimin “Pjetër Budi”, forumi nderon studiuesin dhe veprimtarin Rexhep Dedushaj nga Vuthajt, me banim në New York.
Motivimi i tij është për kontribut të shquar si studiues i historisë së krahinës epike të Plavës dhe Gucisë, me katër libra të botuar e dhjetra botime në shtypin shqiptar. Ndërsa me çmimin “Frang Bardhi” nderohet koleksionisti dhe studiuesi Shpëtim Sala.
P.GROSI

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›