E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia kërcënon Gjeorgjinë me gjakderdhje



Gjeorgjia rrezikon gjakderdhjen nëse vazhdon “të ndërhyjë” me “paqeruajtësit rusë”, që patrullojnë në rajonin e Abkazisë, tha zëvendësshefi i shtabit të ushtrisë ruse, gjeneral Aleksandër Burutin. Burutin tha se “pasojat mund të jenë nga më seriozet e mundshme, me gjasa që të rezultojë në gjakderdhje”. Komentet e tij erdhën pas arrestimit dhe më pas lirimit të katër ushtarëve rusë nga Gjeorgjia. Tbilisi i akuzoi ushtarët për trafik armësh.

Bosnje rrëzohet helikopteri, humbasin jetën 4 ushtarë

4 ushtarë kanë gjetur vdekjen si pasojë e rrëzimit të një helikopteri të forcave paqëruajtëse të EUFOR-it që veprojnë në Bosnje. Sipas agjencive të huaja, të katër anëtarët që ndodheshin në bordin e helikopterit kanë humbur jetën. “Një helikopter është rrezuar rreth mesditës rreth 20 kilometra në veri të Travnik” është shprehur për agjencinë e lajmeve Reuters zëdhënësi i EUFOR-it, Kerri Korket, duke theksuar se helikopteri në fjale është spanjoll. Dy nga viktimat janë gjermanë ndërsa dy të tjerë spanjollë. Ndërkaq po hetohet për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti të rëndë.

TRAKTATI
BE-ja nuk nxitohet rreth Traktatit të Lisbonës
Shefi i Komisionit Europian dhe kryeministri i Irlandës janë pajtuar se Bashkimi Europian nuk duhet të dalë me vendime të nxituara për zgjidhjen e krizës që shkaktoi refuzimi i Traktatit të Lisbonës nga irlandezët. Hoze Manuel Baroso tha se samiti i ardhshëm i BE-së në tetor, do të jetë një mundësi e mirë për të diskutuar mënyrat e ecjes përpara. Ai sugjeroi që në takimin e liderëve të BE-së të mos merren vendime të mëdha rreth Traktatit.

LIGJI
Parlamenti suedez miraton ligjin antiterror

Në luftën kundër terrorizmit, Parlamenti suedez ka miratuar një ligj shumë të përparuar. Sipas tij, autoritetet ushtarake të përgjimit, duke filluar nga viti i ardhshëm, mund të kontrollojnë postën elektronike, mesazhet telefonike dhe komunikimin me telefon dhe faks me jashtë vendit të të gjithë shtetasve suedezë. Për këtë kontroll nuk është i domosdoshëm autorizimi i gjykatës. Pro projektligjit votuan 143 deputetë ndërsa kundër votuan 138.

THIRRJE
Bushi: “Të lejohen shpimet në oqean”
Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, i bëri thirrje Kongresit që të shfuqizojë ligjet të cilat ndalojnë shpimet për naftë në ujërat bregdetare amerikane. Ai tha se Kongresi nuk duhet të presë më në kushtet kur çmimet e benzinës janë rritur së tepërmi. Presidenti Bush përsëriti gjithashtu thirrjen për të lejuar shpimet në rezervatin kombëtar të faunës dhe florës arktike.

20 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›