Vështrim mbi vëllimin poetik “Miscellanea” 4
Utopia e librit poetik dhe aventura e Moikom Zeqos
Ahmet SELMANI
Duke bredhur herë në fushën e arkeologjisë, herë në atë të historisë së artit, herë në atë të poezisë e herë në atë të prozës, të shkencës e të kulturës, Moikom Zeqo shfaqet si një poligraf i veçantë i kohës sonë, thjesht duke vazhduar aventurën e tij të shkrimit, sigurisht një aventurë kjo që mëton të përmbysë zhanre e lloje letrare, por edhe të krijojë simbiozën më të çuditshme të artit letrar, thjesht një motërzim borgesian me përmasa të paimagjinueshme. Kështu, meqë synim kryesor mbetet letërsia në kuptimin më të përgjithshëm të saj, autori niset nga zanafilla e saj, nëse mund të shprehemi në këtë mënyrë. Kjo do të thotë se gjithçka fillon nga poezia jo vetëm si bazë e krijimit të letërsisë, por njëherësh edhe si bazë e ndërtimit të individualitetit krijues. Seria e librave voluminozë të titulluar “Miscellanea” (në shqip do të thotë përmbledhje), që deri tani kanë dalë katër vëllime, është aventurë e pafund e Moikom Zeqos për ta nxjerrë poezinë në krye të hierarkisë së letërsisë. Pavarësisht nga karriera letrare që ka bërë deri tani, ai nuk përton t’i rikthehet fillimit, ose më saktë zanafillës. Prandaj librin e hap me këto fjalë: “...Në fillim qe Poezia. Dhe Poezia tha: Të bëhet Fajala!”
Dhe Poezia e tejkaloi Fjalën! Kështu e krijon kodin e aventurës së tij për të shtegtuar nëpër universin e krijimit poetik. Në fakt ky është çelësi themelor me të cilin hap shtegun e kërkimit dhe zbulimit të botës mikrokozmike, me të cilën identifikohet si krijues dhe si njeri, si pjesë dhe si tërësi. Pra poezia është zanafilla e ekistencës personale dhe universale, jashtë saj nuk ka kuptim asgjë tjetër, ai ekziston për poezinë dhe, anasjelltas, poezia ekziston për të. Dhe duke e parë universin përmes saj, në të vërtetë e sheh historinë e ekzistencës në kuptimin filozofik të saj. Poezia është zanafilla e çdo gjëje, është lingua adamica, siç e quan vetë autori, për arsye se aty fillojnë gjërat, në radhë të parë fjala si mjet kryesor e cila ndërton gjuhën, e pastaj edhe gjuha që e shpreh mendimin, ndjenjën. Mbi të gjitha, me anë të poezisë dhe gjuhës merr kuptim shpirti të cilin arrijmë ta kuptojmë gjer në hollësi. Thjesht kjo dialektikë e krijimit është e logjikshme dhe hyjnore njëkohësisht. Prandaj autori niset pikërisht prej saj për ta shqiptuar vetminë personale si mundësi të vetme për ta dëshmuar ekzistencën e vet krijuese. Duke vepruar kështu, i vë vulë pranisë shpirtërore, shpëton nga zhdukja e quajtur harresë, dixi et salvavi (lat. fola dhe shpëtova), thotë autori.
Tejkalimi i zhanrit
Kur e lexojmë “Miscellanean” e Moikom Zeqos në fakt vetëm kushtimisht mund të themi se kemi të bëjmë me poezi. Përmes formës së shkrimit autori tejkalon çdo konvencë të ngurtë ose të zakonshme, ai poezinë e bën sipas parametrave personal; nis me trajtën e saj tradicionale për ta thyer para syve tanë, e inkorporon atë në kontekstin e shkrimit për ta nxjerrë si një derivat të çuditshëm, e shndërron në një bashkëbisedim të thjeshtë për ta transformuar gjer në rrënjë, e shkrin në një rrafsh eseistik për ta ruajtur tharmin e saj vetëm në brendi, e ndërfut në tekste e citate të shumta për ta krijuar tërësinë e saj të mundshme, e afron drejt filozofisë për ta larguar me një elegancë të mahnitshme, e bashkon me shkencën për t’i dhënë kuptim shpirtit njerëzor etj. Pra kemi të bëjmë me një relativizim të jashtëzakonshëm të zhanrit poetik, duke i dhënë elasticitetin e paparë, esencën më kuptimplotë që mund ta ketë. Ky është tejkalim i zhanrit, ose përmbysje e plotë e tij. Loja me zhanrin është lojë me shkrimin, kërkim i formës dhe i përmbajtjes, përkufizim i artit, ftesë ndaj lexuesit. E gjithë kjo flet qartë se M. Zeqo poezisë i jep një kuptim krejtësisht tjetër, një kuptim të ri, për t’u dukur autori si bartës parësor i tekstit poetik, por krahas kësaj për t’u dukur edhe lexuesi i cili rri përballë tekstit si një receptues i rëndësishëm. Në të vërtetë ky është një mit i ri, miti modern i lexuesit i cili bëhet krijues i barabartë i tekstit poetik. Prandaj, autori jo më kot thotë se lexuesi është poeti i dytë, ose sozia. Kështu, edhe njëherë e thekson paralelizmin e bartësve të tekstit poetik, autorit dhe lexuesit, si dy subjekte që shfaqen para nesh. Në fund të fundit, si mund të transformohet zhanri poetik nëse nuk ndërtohet strategjia e provokimit, nëse mund ta quajmë kështu. E këtë autori e bën për ta nxitur lexuesin drejt aventurës së kërkimit të tij në botën e poezisë. Dhe “Miscellanea” e M. Zeqos gjithsesi e krijon këtë mundësi për lexuesin.
Utopia e librit
Aventura krijuese e Moikom Zeqos në “Miscellanea” është borgesiane, është një univers i dijes dhe i fantazisë, një kapërcim nga sferat e errëta në ato të ndritshme, një përpjekje e vazhdueshme për ta ndërtuar një pamje të mundshme të realitetit njerëzor etj. Duke bredhur nëpër zonat e errëta të historisë e të mitologjisë, arrin në ato të ditëve tona ku realiteti papritur bëhet mistik, tjetërsohet për shkak të zhvillimit të teknologjisë e informatikës. Kjo është shpresë dhe zhgënjim, rimëkëmbje dhe thyerje, realitet dhe utopi njëherësh. Autori vjel përvojën e madhe në fushën e dijes historike, filozofike, shkencore, artistike, kulturore, letrare etj., dhe atë e sintetizon në një tërësi poetike, për të krijuar universin artistik, atë që i nevojitet atij si krijues i cili dëshiron ta shprehë vizionin e vet për ekzistencën njerëzore e cila rrjedh me ritmet e saj të pakthyeshme. E gjithë dija e përzgjedhur bëhet figurë poetike, metaforë e hapur me të cilën manipulon brenda tekstit poetik për të hapur horizontin e kuptimit real. Kjo është një gjuhë figurash e cila rrjedh në mënyrë të natyrshme, ndërfutet në formë intertekstuale, trazon ndërdijen tonë dhe krijon përjetimin emocional. Nëpërmjet sintetizimit të gjerave, thënieve e citateve, vargjeve e mendimeve, ai ndërton tërësinë e universit të paramenduar, univers i cili shikohet nga këndi artistik. Dhe, sipas kësaj “Miscellanea” e M.Zeqos duket si një libër utopik i cili përpiqet të krijojë një tërësi të vetme, një “monopol” të botës universale, një makropoezi, nëse mund ta quajmë, ku çdo gjë lëviz dhe shfaqet në formë të ligjërimit metafizik dhe artistik. Sado që universi artistik mund të shikohet në shumë libra, këtu ndryshon dhe thjeshtëzohet, bëhet më konkret dhe më i përmbledhur, përqëndrohet në një vend të caktuar. Autori mbase është i vetëdijshëm se ky univers është madhor, ndaj pikënisjen e ka brenda vetvetes dhe hapësirës ku jeton. Pra, edhe përkundër bredhjes së pafund të tij për ta konceptuar këtë aventurë të librit të tij, ai prapë nuk largohet nga zanafilla e vet, nga toposi personal, sepse aty gjendet edhe fillimi dhe mbarimi i utopisë së tij. Në këtë mënyrë ai mbetet pranë vendlindjes së tij, e cila i jep kuptim çdo gjëje që përpiqet të bëjë ai. Prandaj është shumë e logjikshme kur thotë: “Durrës o Durrës/ Fillimi dhe mbarimi i çdo libri/ Amen!” Në fakt ky është rrumbullakim i aventurës së tij, përcaktim i qartë i vetvetes dhe hapësirës. Si rezultat i kësaj “Miscellanea” është kronikë jetësore e autorit, projekt utopik që ta ka të bëjë me fenomenin e quajtur libër, një iluzion i bukur për lexuesin i cili dëshiron ta udhëtojë nëpër këtë botë të ndërtuar me anë të dijes dhe frymëzimit, shqetësimit dhe shprehjes. Gjithçka që i përket “Miscellaneas” është e krijuar ose e rikrijuar, e njohur dhe e panjohur, është palimpsest i vazhdueshëm që shfaqet në formën burimore dhe të krikrijuar. Dhe kështu del se këtu shkrimi e abstrahon vetveten, njëherë e rrënon e pastaj e ngre përsëri, i jep trajtë dhe shpirt, sepse synimi bëhet gjithnjë e më i konkretizuar. Të gjitha ato dromca e shprehje sporadike, shënime e thënie, klithma e shprehje janë rrjedhë e natyrshme e qenies krijuese të autorit, të cilat knë lindur në kohë dhe hapësirë të caktuar. Ato janë dëshmi e shqetësimit dhe konsolidimit, plotësim i universit poetik. Si e tillë “Miscellanea” mbetet testament i çuditshëm poetik në kohën kur krizat prodhojnë fenomene të paparishikueshme. Është libër utopik dhe global, por që jep shpresë dhe individualitet. Sado që gjërat janë thënë e stërthënë nëpër shumë libra të tjera, në “Miscellanea” rithuhen ndryshe, me një shpirt të ri, me një gjuhë përplot figura të krijuara nga autori si rezultat i dijes dhe dhuntisë së tij.
20 Qershor 2008