E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azilkërkuesit, Ministria e Brendshme kundërshton veten

24/12/2008  Komisioni për Sigurinë Kombëtare voton pa opozitën draftin

Komisioni parlamentar për Sigurinë Kombëtare ka miratuar dje me votat e deputetëve të thirrur me urgjencë për të plotësuar kuorumin në mungesë të deputetëve të opozitës, disa ndryshime në projektin “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”. Gjatë diskutimit nen për nen të këtij projekti, pas disa ndërhyrjeve nga ana teknike legjislative të këshilltares së Kuvendit, për përafrimin me legjislacionin e BE-së, Erisa Dautaj, dhe të përfaqësuesit të UNHCR-së, Artan Balla, komisioni pranoi disa sugjerime të vetë Ministrisë së Brendshme, hartueses së këtij projekti. Pas një vërejtjeje të bërë nga Balla për shfuqizimin e nenit që shtonte një shkallë të ankimimit të azilkërkuesve, komisioni në miratimin e kësaj kërkese mori në konsideratë edhe pranimin e vërejtjeje nga vetë hartuesit e projektit. “Sugjeroj që neni sipas të cilit ‘ankimi kundër vendimit të Zyrës së Refugjatëve i drejtohet titullarit të institucionit, në varësi të të cilit është kjo drejtori, brenda 15 ditëve nga data e komunikimit të vendimit. Titullari i institucionit krijon për këtë qëllim një komision për refugjatët, të përbërë prej 3 specialistësh në fushën e azilit, për një periudhë 3-vjeçare’, të shfuqizohet. Ankimimi nuk ka pse shqyrtohet fillimisht nga një komision, por të kalojë direkt në gjykatë”, tha përfaqësuesi i UNHCR-së, Balla. Edhe drejtoresha për azilin në Ministrinë e Brendshme, Drita Abdyli, u shpreh dakord me këtë vërejtje. “Ne e kemi sjellë si propozim, por jemi dakord me propozuesin që të hiqet”, tha ajo. Projektligji i parashikuar të votohet këtë sesion synon plotësimin e kushteve dhe procedurave për dhënien dhe heqjen e azilit në Republikën e Shqipërisë, si dhe trajton si subjekt të veçantë rregullimin e azilkërkuesit me nevoja të veçanta. Është shtuar koncepti i formës plotësuese të mbrojtjes, mbrojtje që i jepet të huajit, i cili ndonëse nuk përmbush kriteret e të qenit refugjat, nuk do t’i nënshtrohet asnjë urdhri dëbimi apo përzënieje të lëshuar nga autoritetet përkatëse në Republikën e Shqipërisë. Në projekt parashikohen dispozita për azilkërkuesit me nevoja të veçanta, pasi në ligjin në fuqi nuk ka dispozita për të identifikuar dhe për t’ju përgjigjur azilkërkuesve me nevoja të veçanta, siç janë të miturit e pashoqëruar dhe të rriturit me të meta mendore. Po ashtu një nen i veçantë i është kushtuar dëgjimit të azilkërkuesit që ka paraqitur aplikim duke i njohur një sërë të drejtash gjatë kësaj procedure. Ligji që ka qenë në fuqi përcaktonte në mënyrë të hollësishme procedurat për përcaktimin e statusit të refugjatit, si dhe mbulonte mbrojtjen e përkohshme. Hartimi i këtij projekti të ri është ndërmarrë në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me legjislacionin e BE-së dhe të detyrave të Qeverisë në kuadër të MSA-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›