E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësuesit shpërblime sipas arritjeve në punë

24/12/2008  Përveç 10000-lekëshit do të përfitojnë shtesë tjetër deri në vlerën e një page mujore

Zyrtarisht nis sot shpërndarja, përfitojnë rreth 44 mijë mësues në të gjithë vendin

Përfitues të shpërblimeve deri në vlerën e një page mujore, për këtë vit nuk do të jenë vetëm mjekët e parësorit, por këtë fat do ta kenë dhe mësuesit e arsimit parauniversitar. Sipas vendimit të marrë, për këtë kategori, përveç 10000-lekëshit të akorduar nga Qeveria për të gjithë administratën, do të trajtohen me një tjetër shtesë shpërblimi, e cila do të jepet në bazë të rezultateve të arritura prej tyre gjatë vitit mësimor. Diferencimi i shpërblimit bëhet nga drejtuesit e shkollave, kjo si për arsimin nëntëvjeçar e parashkollor, ashtu dhe për atë të mesëm. Numri një i Drejtorisë Arsimore për kryeqytetin, shprehet se tashmë janë mbyllur dhe procedurat përkatëse, dhe duke filluar nga dita e sotme për të gjithë mësuesit në vend do të nisë ndarja e shpërblimit. Së bashku me 10000-lekëshin do të jepet dhe rritja e përshkallëzuar deri në një pagë mujore, e cila do të shpërndahet sipas realizimit të programit mësimor të arritur prej mësuesve. Njëkohësisht të drejtën për t’u trajtuar me këtë shpërblim do ta kenë edhe stafet e mësuesve, që edukojnë moshat parashkollore. Në të gjithë vendin do të jepen shpërblime me rastin e festave të fundvitit edhe për rreth 44 mijë arsimtarë.

Diferencimi

Shtesën maksimale të shpërblimit do ta përfitojnë ata mësues, të cilët kanë arritur të realizojnë në masën 100 për qind programin vjetor të punës. Këta të fundit do të trajtohen me një rrogë shtesë së bashku me 10000-lekëshin e dhënë nga Qeveria për këtë fundviti. Diferencimi i masës së shpërblimit realizohet në kuadër të progreseve individuale të arritura në punë nga kjo kategori, çka mbështetet dhe në procedurën e përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil. Aktualisht janë katër kategori të ndryshme mbi bazën e së cilës bëhet matja e arritjeve të çdo mësuesi, duke filluar nga niveli më i lartë, që përfiton dhe shtesën maksimale, deri tek ai më i ulëti, që nuk do të përfitojë shpërblim gjatë këtij viti, me përjashtim të masës së akorduar nga Qeveria. Kategorizimi i niveleve fillon që nga stadi më i lartë, siç është “Shumë mirë”, “Mirë”, “Kënaqshëm”, deri në stadin më të ulët që është “Jo mjaftueshëm”. Në bazë të kësaj ndarjeje do të jepet dhe shpërblimi. Tri nivelet e para përfitojnë shpërblim duke filluar nga 50 për qind e pagës aktuale deri në një pagë të plotë. Ndërsa niveli i fundit, sipas kësaj skeme nuk do të përfitojë fare shpërblim.

Përcaktimi

Janë drejtuesit e shkollave ata të cilët përcaktojnë dhe ndarjen përkatëse të mësuesve sipas secilës kategori. Kjo ndarje gjithashtu do të shërbejë edhe për kategorizimin e shpërblimeve sipas meritës dhe arritjeve në punë nga secili mësues. Sipas legjislacionit, vlerësimi i mbarëvajtjes në punë, bazohet në arritjen e objektivave për çdo vend pune dhe në aftësitë kryesore që nevojiten për të kryer detyrat. Kjo finalizohet edhe nëpërmjet ngritjeve në detyrë apo lëvizjeve paralele që bëhen për mësuesit e arsimit parauniversitar. Në pjesën dërrmuese caktimi i vlerësimeve kryhet nga drejtori i shkollës, në bazë të arritjes së mësuesit gjatë vitit, por në raste të caktuara bëhet edhe në procedura të tjera të veçanta.

Kategorizimi i shpërblimeve

Niveli i parë “Shumë mirë” trajtohet me shpërblime në vlerën e një page mujore

Niveli i dytë “Mirë” do të trajtohet me shpërblime në masën 70 për qind të pagës mujore

Niveli i tretë “Kënaqshëm” do të përfitojë si shpërblim 50 për qind të pagës mujore.

Niveli i katërt “Jo mjaftueshëm” nuk do të trajtohet me shpërblim shtesë përveç atij të Qeverisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›