E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita bojkot miratimit të projekteve në komisione

24/12/2008  Protesta e opozitës zhvendoset jashtë seancës

Deputetët e opozitës nuk e kanë kufizuar “protestën” e tyre ndaj mazhorancës duke bojkotuar vetëm seancën parlamentare dhe vendimet e saj. Ata kanë ndjekur të njëjtën praktikë gjatë këtyre dy ditëve edhe me komisionet parlamentare. I vetmi komision parlamentar, ai për Sigurinë Kombëtare, që ka zhvilluar mbledhje gjatë ditës së djeshme, e ka filluar atë për rreth 45 minuta me vonesë për shkak të mosplotësimit të kuorumit, në mungesë të deputetëve të opozitës. Madje kryetarit të komisionit, Leonard Demit, i është dashur të lajmërojë me telefon ata pak deputetë jomazhoritarë, por as opozitarë, për të zhvilluar mbledhjen brenda rregullave. Në pritje të deputetit të Partisë Demokristiane Jak Ndokaj dhe atij të grupit parlamentar “Qendra” Paulin Sterkaj, deputetë dhe të ftuar nga ministritë që marrin pjesë në diskutimin e projektligjeve, kanë porositur nga një kafe ose çaj për të kaluar me komode minutat. Pas 45 minutave të pritjes, më pas komisionit i është dashur vetëm 15 minuta që të miratojë ndryshimet e ligjit “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” me shtatë vota pro. Të njëjtën praktikë braktisjeje deputetët e opozitës ndoqën edhe në Komisionin e Ligjeve në mbledhjen e ditës së hënë, ku ishte parashikuar diskutimi i ligjit “për Prokurorinë e Përgjithshme”. Vendimi i deputetëve të opozitës për të braktisur punimet e Kuvendit erdhi pas zvarritjes që sipas tyre mazhoranca qeverisëse po i bën miratimit të dekretit të Presidentit të Republikës për Kodin e ri Zgjedhor. Ata u kërkuan kundërshtarëve të tyre politikë të sillnin një orë e më parë dispozitën kalimtare që do të shpëtonte përplasjen e afateve të parashikuara në projekt me detyrimin e Kreut të Shtetit për të dekretuar datën e zgjedhjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›