E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azilkerkuesit zemerojne Gjermanine

Nën titullin “Azilkërkuesit nga Ballkani zemërojnë Gjermaninë” e përditshmja sllovene Dello bën të ditur se Gjermania, por dhe Belgjika kërcënojnë të rivendosin regjimin e vizave për Ballkanin. E përditshmja sllovene bën të ditur se që pas heqjes së vizave për shtetasit e Serbisë dhe të Maqedonisë, në Gjermani janë regjistruar disa mijëra kërkesa për azil të qytetarëve nga këto dy vende.

Sipas gazetës, heqja e regjimit të vizave për shtetasit e Shqipërisë dhe të Bosnjës, mund ta rritë këtë numër të azilkërkuesve. “Në 11 muajt e parë të vitit 2010, në Gjermani kanë kërkuar azil 4218 shtetas të Serbisë dhe 2319, shtetas të Maqedonisë”, shkruan gazeta në një raport nga Berlini, duke shtuar se numri i “kërkesave të tilla para një viti ishte vetëm 581 përkaktësisht 109”. 

“Azilkërkuesit pothuajse pa përjashtim nuk i plotësojnë kushtet për azil, pasi nuk bëhet fjalë për kërkesa për azil politik fetar apo etnik, por në një masë të madhe kërkesat janë për arsye sociale dhe ekonomike. Sipas Dello, pjesa më e madhe e azilkërkuesve ndillen nga vendet e tyre  nga mashtrues që u premtojnë jetë më të mirë në Gjermani, punë ose së paku azil të përshtatshëm”. 

Sipas gazetës, ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joakim Herman, duke i përmendur këta shembuj të “keqpërdorimit të institucionit të azilit” ka  kërcënuar me “rivënien e regjimit të vizave, nëse kjo sjellje nuk përfundon”.

Një tjetër aspekt që zemëron Gjermaninë janë dhe të hollat e harxhuara për deportimin e azilantëve apo dhe asistenca që u jepët atyre për t’u kthyer në atdhe ndërsa ende mbetet e hapur çështja e rreth 20 mijë romëve që  udhëtuan drejt Gjermanisë  në kohën e luftës në ish- Jugosllavi, por që ende nuk kanë leje të rregullta qëndrimi aty.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›