E Hënë, 2 Nëntor 2026

Azotiku i Fierit do të flakë në rrugë 30 punëtorë

05/02/2005  Vendimi është marrë nga ministri i Energjetikës

FIER – Rreth 30 punonjës të ish-gjigandit të plehrave, “Azotikut” së shpejti do të dalin në rrugë të madhe. Lajmi bëhet i ditur nga vetë kreu i Azotikut, Fetah Hyka dhe kryetari i sindikatës së kësaj uzine, Sulejman Sulaj, i cili pohoi se reforma do të nxjerrë si të papunë, punonjës që kanë vite që e kanë shtyrë në këtë uzinë të falimentuar.

Pa mbushur ende tre muaj nga reforma që zhvilloi rafineria e naftës në Fier, një tjetër shkresë zyrtare ka mbërritur në drejtorinë e kësaj ndërmarrje nga ministri i Energjetikës, Viktor Doda, ku ndër të tjera pohohet se 30 punonjës të tjerë do t’i shkurtohet fuqisë punëtore të kësaj rafinerie, pohuan për gazetën punonjës të kësaj rafinerie.

Punonjësit tashmë të frikësuar nga kjo lëvizje e fundit e ministrit Doda me të drejtë shprehen se, "nuk arrijmë të kuptojmë këtë vendim, pasi kemi vite të tëra që kemi punuar dhe tashmë që shumë pak vite na ndajnë nga dalja në pension të flakemi në rrugë pa u marrë parasysh se për kaq e kaq vite punuam nën erërat e rënda”.

Megjithatë, ata kanë ngritur zërin se duhet të merret parasysh vjetërsia e tyre në punë si dhe kushtet e vështira që ata kanë punuar. Kështu kërkesa e tyre e përhershme mbetet ulja e moshës së pensionit dhe jo ajo që është aktualisht 65 vjeç, është shprehur kryetari i sindikatës së punëtorëve, Sulejman Sulaj.

Vetë drejtori i kësaj uzine, Fetah Hyka, ka thënë dje se “në bazë të urdhrit të mbërritur nga ministria nga 80 punonjës që janë aktualisht do të qëndrojnë vetëm 52. Reforma do të prekë më tepër ato sektorë që nuk kanë eficencën e duhur”.

Edhe pse reagimet në heshtje të punëtorëve bien ndesh me lëvizjet e fundit të Ministrisë së Energjetikës, tashmë listat e punonjësve, të cilët do të dalin në asistencë, ndodhen në zyrë të drejtorit, pohojnë punonjësit dhe pritet vetëm firmosja e titullarit të kësaj rafinerie.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›