E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Të ardhurit të integrohen ligjërisht”

05/02/2005  Shkodër/ Seminar për integrimin e të ardhurve nga malësitë

SHKODËR – “Integrimi i banorëve të ardhur nga malësitë dhe fshatrat përreth, duhet të fillojë në radhë të parë me integrimin ligjor dhe pastaj atë ekonomik, social dhe psikologjik”. Ky ishte njëri nga aspektet që doli në seminarin e djeshëm me temë: ”Integrimi i të ardhurve nga zonat rurale në qytetin e Shkodrës. Problem i mbarë komunitetit shkodran”. Ky seminar u organizua nga Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Departamenti i Pedagogji- Psikologji-Sociologji, në një nga auditorët e Universitetit të Shkodrës. Pjesëmarrës në këtë sesion shkencor ishin Rektori i Universitetit të Shkodrës, Mahir Hoti, zv.rektori, Fatmir Vadahi, pedagogu Gëzim Dibra, drejtori i shkollës 8-vjeçare në Tuz të Malit të Zi, njëkohësisht dhe historiani Pjetër Ivezaj, pedagogët e tjerë të USH, intelektualë të fushave të ndryshme, përfaqësues të DA-së Shkodër. Gjatë diskutimit të pedagogëve të këtij Universiteti, që ishin marrë me studimin dhe testimin e të ardhurve, doli në pah se lejimi i ardhjes pa kriter dhe pa një bazë ligjore ishte një gabim, sepse vendosja e tyre në pronat e ish-pronarëve solli një problem social si dhe vështirësi për krijimin e një infrastrukture të nevojshme. Ky gabim po ndihet edhe më shumë tani, kur ata kërkojnë rrugë, kanalizime, drita, ujë e shërbime të tjera sociale. Integrimi ligjor duhej të bëhej patjetër që në fillim dhe me një afat kohor të shpejtë, ndërsa integrimi kulturor, social dhe psikologjik, kërkon kohë. Sipas testimeve që janë bërë te qytetarët e Shkodrës, vërehet se 80% e të intervistuarve mendojnë se, të ardhurit kanë krijuar probleme dhe 20% e tyre mendojnë se shteti nuk po e luan rolin e tij siç duhet, për integrimin e të ardhurve në shoqërinë e kultivuar qytetare. Ndërsa testimet e të ardhurve, për nivelin kulturor, nxjerrin shifra të ulëta, ku vetëm po të marrim njërin zë, atë të leximit të gazetave, vihet re se vetëm 23% i lexojnë ato. Nga ana tjetër, 71% e fshatarëve të ardhur në qytet e ndiejnë veten si qytetarët, duke thënë se kanë një shtëpi dhe jetojnë njësoj si ato.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›