E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapet malazezi, trafikonte makina

05/02/2005  Një 26-vjeçar nga Podgorica është arrestuar nga policia, pasi u kap me një makinë BMV

SHKODËR – Në pranga një 26-vjeçar nga Mali i Zi. Dje forcat e policisë së komisariatit të Shkodrës kanë arrestuar shtetasin malazes Miodgrad Vukmir Kruscic. I riu nga Podgorica e Malit të Zi është akuzuar për kryerjen e veprave penale të “trafikimit të mjeteve motorike dhe përdorimi i dokumenteve të falsifikuara. Lajmi është konfirmuar dhe nga burime zyrtare të policisë së qytetit verior.

Ndalimi i djeshëm i shtetasit malazesas, Miodgrad Vukmir Kruscic, nuk është i pari i kësaj natyre. Dy raste të tilla janë evidentuar nga policia kufitare edhe vitin e kaluar, të cilët janë përpjekur të trafikojnë makina luksoze. Afërsia me qytetin verior të Shkodrës dhe njohja e gjuhës nga ana e shkodranëve, duket se ia ka “puqur telat” mirë për vite me radhë trafikantëve të mjeteve motorike. Mjaft makina të vjedhura, kur kapen nga policia dhe rezultojnë pa dokumentacionin e duhur, kanë “origjinën” e trafikimit më të fundit, pikërisht nga qytetet e shtetit fqinj me Shkodrën, Malin e Zi. Dhe persona të arrestuar nga autoritet policore shkodrane nuk e kanë mohuar një linjë të tillë, që ka funksionuar prej vitesh.

Arrestimi

Shërbimet e policisë e kanë kapur shtetasin e huaj në pikën e kontroll kalimit të Doganës së Hanit të Hotit, duke hyrë në territorin shqiptar nga atdheu i tij, Mali i Zi. I ndodhur në timonin e një autoveture tip BMV, prodhim i vitit 2003, 26-vjeçari Miograd Vukmir Kruscic, u ndalua nga forcat e policisë kufitare për të verifikuar dokumentet e makinës. Pas verifikimeve të duhura dhe kryerjes së veprimeve proceduriale, rezultoi se dokumentacioni që dispononte shtetasi malazes, ishte i parregullt. Kjo u konfirmua edhe nga sektori i Luftës kundër Krimit të organizuar pranë Drejtorisë së Policisë. Mbi këtë bazë, ndaj këtij shtetasi u mor masa e ndalimit dhe u bllokua me cilësinë e provës materiale autovetura tip BMV, bashkë me dokumentacionin. Burime brenda policisë, bëjnë të ditur se automjeti ishte vjedhur në Mal të Zi, me qëllim shitjen në Shqipëri. Prokuroria e rrethit Shkodër ka marrë në dorë materialet proceduriale në ngarkim të shtetasit nga ish-Jugosllavia.

Hetimi

Kapja në flagrancë e shtetasit Miodgrad Vukmir Kruscic, duke kryer trafik mjetesh motorike, ka ngjallur dyshimet e uniformave blu të Qarkut të Shkodrës se mos kishin rënë në gjurmët e ndonjë linje trafiku makinash luksoze. Marrja në pyetje e të ndaluarit dhe informacionet e marra nga ana e policisë në rrugë operative dhe zyrtare, duket se shumë shpejt e rrëzoi pistën e kapjes së “peshkut” të ndonjë linje të vjetër. Burime nga komisariati i Shkodrës, kanë thënë dje për gazetën “Metropol” se, megjithë hetimet e bëra deri më tani, duket se 26-vjeçari ishte nisur me “kokën e tij” për të kaluar makinën luksoze në tregun shkodran. Po sipas të njëjtit burim, bëhet e ditur se deri më tani nuk është prerë më asnjë fletarresti tjetër për ndonjë person të dyshuar, si të përfshirë në trafikun e paligjshëm të mjeteve motorike të vjedhura. Linja që kalon nga Mali i Zi në vendin tonë ka qenë e hershme. Makina luksoze të vjedhura në Itali, Gjermani dhe vende të tjera perëndimore, pasi mbërrijnë në Mal të Zi blihen për çmime shpesh të arsyeshme nga shtetas shqiptarë. Në përgjithësi, makinat, të cilat kalojnë në këtë linjë, janë prodhime luksoze të viteve të fundit.

Precedenti/ 16 qershor 2004

Italiani trafikoi 12 automjete. Në aksin Itali – Mali i Zi – Shqipëri

Një trafikant italian automjetesh është arrestuar nga policia e Shkodrës, në pikën e kalimit kufitar të Moriqanit në këtë rreth, e cila ndodhet rreth 14 km larg qytetit të Shkodrës.

Mario Vangelisi, 53-vjeçari italian, nga Breshia, u arrestua ndërsa tentonte që me një automjet luksoz tip “Benz” të hynte nga Mali i Zi në Shqipëri. Pas ndalimit dhe verifikimeve të para, është mësuar shumë shpejt se, Vangelisi ishte një i dyshuar për trafik automjetesh.

Pas dyshimeve për një rast të trafikimit të mjeteve motorike, në bazë edhe të shkëmbimit të informacionit, u mësua gjithashtu se, 53-vjeçari Mario Vangelisi, në të paktën 12 raste të tjera kishte hyrë në Shqipëri me 12 automjete të ndryshme dhe se ishte larguar prej këtej pa ato. Jo vetëm kaq, por rreth një muaj pasi ai mbërrinte në Itali, Vangelisi denonconte si të vjedhur automjetet e tij, që dyshohet se i shiste. Hetimet e para kanë mundur të hedhin dritë edhe për faktin se, këto automjete, trafikanti italian i blinte ose i merrte me qira në Itali dhe se për të hyrë në Shqipëri shfrytëzonte pikat e kalimit kufitar të dorës së dytë si Moriqani, Bllaca, tre Urat etj.

Nga 12 makinat, të cilat kanë ardhur në Shqipëri, vetëm dy prej tyre rezultuan me denoncim për vjedhje në Itali.

Me Malin e Zi, përveç makinave dhe trafik klandestinësh

Përveç trafikut të mjeteve motorike nga Mali i Zi, kalon dhe një linjë trafiku klandestinësh. Më 26 shtator të vitit të kaluar, 6 persona janë vënë re nga policia malazeze dhe janë parë me dyshim në territorin e vendit të tyre. Pasi janë verifikuar, të 6 personat janë përcjellë për në Han të Hotit dhe për këtë rast është vënë në dijeni pala shqiptare. Në pikën e kufirit, të 6 personat që kishin destinacion Italinë, janë marrë në pyetje nga agjentë të policisë antitrafik dhe, pasi i kanë dhënë sqarime, ata janë lënë të lirë. Pas marrjes së deklarimeve, policia malazeze dhe ajo e Shkodrës arritën që të zbulojnë rrjetin e trafikut të qenieve njerëzore, që kalonte nga Shqipëria drejt Italisë, nëpërmjet vendeve të Ballkanit. Në mesditën e 26 shtatorit, tre persona nga Shkodra, Pjerin Vata, 42 vjeç, Dritan Haxhia, 35 vjeç dhe Angjelin Ndeu, 22 vjeç, janë arrestuar duke u akuzuar për “trafik qeniesh njerëzore” dhe “dhënies së ndihmës për trafik të paligjshëm të kufirit”.

Linja e këtij trafiku ishte nga Shkodra në Mal të Zi, Kroaci, Slloveni e më pas në Itali. Personat që trafikoheshin paguanin nga 2500 euro për të shkuar deri në Itali, ndërsa të hollat i paguanin pasi mbërrinin. Kjo rrugë për të shkuar drejt Italisë është rruga më e shkurtër tokësore nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas burimeve nga policia, mësohet se ky rrjet trafiku përveç lidhjeve jashtë kufirit, kishte lidhje dhe me trafikantë në zonën e Dibrës, të cilët iu merrnin njerëzve nga 2200 euro, 300 euro më pak se në Shkodër, e më pas i kalonin në Kukës, pastaj në Kosovë e më pas në Mal të Zi, ku bashkoheshin me pjesën tjetër të ardhur nga Shkodra. Prej andej fillonte dhe aventura drejt Italisë. Muajt e fundit të vitit të kaluar janë goditur tre rrjete trafiku qeniesh njerëzore, që përdornin këtë linjë trafiku nga Shkodra, Mali i Zi, Kroaci, Slloveni e më pasnë Itali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›