E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shemben 2 shtëpi, 20 familje pa rezerva ushqimore

05/02/2005  Librazhd/ Gjashtë fshatra presin me sytë nga qielli

LIBRAZHD – Gjashtë fshatra të një komune në Librazhd janë ende të bllokuara nga bora e rënë disa ditë më parë. Ajo që kërkohet prej tyre është hapja e rrugës dhe dërgimi i ndihmave ushqimore për këto dy fshatra me helikopter.

Është ky apeli për ndihmë që kryetari i komunës së Stravajt, Ardian Zeneli, i drejton Kryeministrit Fatos Nano, ministrit të Pushtetit Vendor e Decentralizimit, Ben Blushi, deputetit të zonës Ilir Zela si dhe prefektit të Qarkut të Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryetarit të këshillit të Qarkut, Medi Pepa, prej të cilëve kërkon ndihmë për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen banorët e kësaj komune, pas borës së këtyre ditëve.

Sipas kryekomunarit, mësohet se këto fshatra të kësaj komune, me 3400 banorë, po përballen me vështirësi të mëdha për jetesën e tyre.

Problematike është gjendja për dy fshatrat, Sopot e Gaferr, që ndodhen rreth 30 kilometra larg qendrës së komunës dhe ku trashësia e borës i kalon dy metrat dhe ku për më tepër mungon edhe informacioni, jo vetëm për faktin se kjo zonë nuk mbulohet me valë celulari, por, edhe sepse nga mungesa e energjisë elektrike prej gati dy javësh, nuk mund të karikohen edhe bateritë e telefonëve.

Nga ana tjetër, sipas kryetarit Zeneli, në këto dy fshatra është e pamundur edhe shkuarja në këmbë apo me mjete transporti. Prej kaq ditësh në këto dy fshatra mungon edhe energjia elektrike dhe rilidhja e saj duket se do të ketë ende probleme, edhe për disa ditë. Në këta dy fshatra 20 familje nuk kanë më as rezerva ushqimore, ndërkohë që dy shtëpi janë shembur nga pesha e borës mbi çati, duke u bërë të pabanueshme dhe pjesëtarët e tyre janë strehuar tek të afërmit e tyre në fshat.

Si pasojë e borës është shkatërruar edhe depozita e ujësjellësit të ujit të pijshëm, duke e lënë fshatin pa ujë të pijshëm prej kaq ditësh.

Dy ditë më parë, një fëmijë i sëmurë i kishte nevojë për ndihmë e ndërhyrje kirurgjikale, për shkak të apandesitit. Të njëjtën nevojë kanë pasur edhe dy fëmijë të tjerë, Fadil Biçaku nga Qarrishta, prindërit e të cilit kanë udhëtuar 12 orë në këmbë për ta sjellë atë në spitalin e Librazhdit, ku iu nënshtrua operacionit. Ndërsa për 11-vjeçarin Altin Koçi nga Orenja e largët, fati që arriti në spital 30 minuta në kohë, i shpëtoi jetën, edhe pse apandesiti i kishte plasur gjatë rrugës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›