Këshilli i Rregullores, do të studiohet mënyra e votimit të dekreteve në parlamente të tjera
Këshilli i Rregullores vijoi dje diskutimet rreth propozimit të deputetëve të PD-së për votimin e hapur për dekretet e Presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Pas një debati të gjatë dhe të detajuar lidhur me procedurën dhe pretendimet e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Ruçi, anëtarët e Këshillit shkëmbyen pikëpamje kryesisht për përmbajtjen, motivet, argumentimet, doktrinat dhe modelet juridike që janë në fuqi në vendet e demokracive parlamentare, për emërimin e funksionarëve të lartë të Gjyqësorit. Nga ana e anëtarëve të maxhorancës, në këtë këshill u shpjegua se votimi i hapur për gjyqtarët e lartë është konkretizim jo vetëm i parimit të transparencës, por edhe i parimit të përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së Parlamentit, i cili është i sanksionuar dhe funksionon me sukses në shumë prej modeleve solide të demokracisë parlamentare. Në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dhënia e pëlqimit nga ana e Kuvendit është kompetencë substanciale dhe jo formale e tij. Kjo kompetencë substanciale që të ushtrohet ka nevojë për instrumente substanciale. Ky është edhe motivi ku mbështeten amendamentet e Rregullores. Nga ana e kolegëve të Partisë Socialiste u kërkua që të merret kohë për diskutimin e përmbajtjes dhe për shkëmbimin e mëtejshëm të argumenteve. Ndërsa deputeti Gjiknuri e cilësoi propozimin e deputetëve të PD-së si një mjet për të urdhëruar votimin politik të dekreteve të Presidentit. “Maxhoranca do të heqë një nga elementet më të rëndësishme që ka demokracia perëndimore. Maxhoranca do të heqë kështjellën e fundit të votës së fshehtë, që pasi ua hoqi qytetarëve, kërkon t’ua heqë dhe ligjvënësve. Ky vendim fsheh një qëllim politik që është emërimi i gjykatësve sipas orekseve të kryeministrit”, - është shprehur Gjiknuri. Kryetarja e Kuvendit kërkoi që materialet lidhur me modelet e ngjashme të parlamenteve të tjera të studiohen nga të gjithë kolegët përpara se diskutimi rreth amendamenteve të vijojë në Këshill. Mbledhja e radhës e Këshillit u vendos që të zhvillohet ditën e hënë.
4 Qershor 2010