E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Mungesa e dialogut ndikon në stabilitetin e institucioneve



Zëvendëskryeministri i vendit, Ilir Meta, deklaroi dje se kriza politike nuk do të ndikojë në procesin e liberalizimit të vizave, por, sipas tij, mungesa e dialogut politik në Shqipëri ndikon në stabilitetin e institucioneve. Deklarata e Metës u bë një ditë pas punimeve të Samitit të Sarajevës. Zëvendëskryeministri theksoi se “çështja e liberalizimit të vizave është tërësisht e bazuar mbi kritere dhe standarde konkrete dhe teknike që duhen plotësuar. Shqipëria i ka plotësuar pothuajse të gjitha përveç tri elementeve të caktuara që janë në proces dhe ku ne vazhdimisht vazhdojmë të raportojmë lidhur me përmbylljen e tyre përfundimtare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se mosfunksionimi si duhet i dialogut politik është një element pozitiv për stabilitetin e institucioneve, sidomos të Parlamentit në vend apo për ecurinë e reformave në drejtime të rëndësishme, sidomos në fushën e Drejtësisë dhe të Gjyqësorit”, - është shprehur Meta. Ai tha se partitë politike të heqin dorë nga ultimatumet dhe nëpërmjet dialogut të gjejnë zgjidhje për krizën pasi, sipas tij, Kushtetuta e vendit i ofron të gjitha mundësitë për kompromis. “Besoj se takimi i zhvilluar në Strasburg, përpjekjet e vazhdueshme që janë bërë dhe bëhen nga përfaqësues të Parlamentit Europian apo të komunitetit ndërkombëtar do të vijojnë dhe njëkohësisht së bashku me to do të rritet edhe përgjegjësia për të vendosur një dialog politik të qëndrueshëm, larg kushteve dhe ultimatumeve të panevojshme, të cilat më shumë sesa përparimin e dialogut politik, synojnë realizimin e tekave apo kapriçove individuale që nuk tregojnë as pjekuri politike, as përgjegjshmëri politike dhe as vendosje të interesave të vendit dhe të integrimit europian, që është një interes kombëtar për të gjithë qytetarët shqiptarë, pikërisht në vendin e parë. Kushtetuta e Shqipërisë, Kodi Elektoral, i gjithë legjislacioni ynë u jep zgjidhje dhe përgjigje të gjitha pretendimeve të ngritura nga lidershipi i opozitës për t`i njohur e për t’i respektuar këto institucione që janë të përbashkëta dhe për të shfrytëzuar të gjithë hapësirën që lë Kushtetuta e vendit”, - është shprehur Meta. Më tej, në deklaratën e tij, Meta komentoi si një arritje për vendet e Ballkanit Perëndimor angazhimet dhe mbështetjen e marrë në Samitin e Sarajevës.
“Dua të shpreh kënaqësinë për zhvillimin e këtij evenimenti shumë të rëndësishëm për rajonin tonë, për Ballkanin Perëndimor, për Shqipërinë në veçanti, pa dyshim edhe për Kosovën, pasi ishte një risi, sepse ky është evenimenti i tretë më i rëndësishëm për rajonin tonë, organizuar nga Bashkimi Europian pas Samitit të Zagrebit dhjetë vjet më parë dhe atij të Selanikut, ku për herë të parë ministri i Jashtëm i Kosovës ulet si i barabartë me të gjithë përfaqësuesit e tjerë dhe fjala e Kosovës dëgjohet me shumë vëmendje.
Ky eveniment shumë i rëndësishëm i kushtoi një vëmendje të veçantë Ballkanit Perëndimor, jo thjesht dje, por për një kohë të gjatë të vetë nismës së këtij takimi të nivelit të lartë, të përgatitjeve, të mesazheve dhe jam i bindur që do të vijojë kjo jehonë pozitive, ky inkurajim që mori rajoni ynë, që mori dhe Shqipëria. Në veçanti, do të doja të theksoja dhe mbështetjen që në mënyrë unanime të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Europian i dhanë propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe për Bosnjën. Kjo mbështetje e plotë, unanime dhe politike, pa dyshim që është një moment shumë pozitiv, është një moment shumë i rëndësishëm pasi në këtë mënyrë jepet një mesazh i qartë se, integrimi europian është një proces i prekshëm dhe pas këtij hapi, pa asnjë diskutim dhe hapa të tjerë do të vijojnë”, - është shprehur Meta.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›