Debate në Kuvend për pagat e deputetëve të PS-së
Gjatë seancës së djeshme parlamentare, deputetët e PS-së e ka akuzuar kryetaren e Kuvendit për mbajtjen e rrogave të tyre dhe se po e përdor këtë metodë për të sulmuar opozitën. Deputeti Taulant Balla ka shkuar më tej duke e akuzuar Topallin se merr 17 milione lekë në vit për të paguar apartamentin në Shkodër, ndërsa harxhon rreth 27 mijë euro për udhëtimet jashtë shtetit. “Zonja drejtuese e seancës, që je bërë si brigadierja Lume te filmi ‘Parullat’. Ti di të përdoresh gomën, jo lapsin. Ti di të fshish, jo të ndreqësh. Nuk do të vonojë dita që transparenca t’i kthehet Kuvendit të Shqipërisë dhe shqiptarët të marrin vesh që ti harxhon 17 milionë lekë në vit për të paguar një apartament në Shkodër dhe 27 mijë euro dieta për rrugët jashtë shtetit. Deputetët janë të gjithë njëlloj. Nuk kemi nevojë për dieta, por mos fyej grevën e urisë”, - është shprehur Balla. Ndërsa deputeti Ahmetaj e cilësoi mbajtjen e rrogave të deputetëve të PS-së për muajin maj si një sulm që Topalli po përdor kundër opozitës. “Ne kemi menduar se në tentativë për të shtypur opozitën, kryeministri nuk ka pasur konkurrentë, por këta muajt e fundit je ti që nuk ke konkurrencë, madje ia ke kaluar edhe bosit tënd. Ti na mat orarin, ti na vjedh rrogat tona, ky është sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe demokracisë”, - është shprehur Ahmetaj.
Ndërsa Topalli u shpreh se deputetët e PS-së nuk mund të marrin rrogë për ditët që kanë qenë në grevë urie. “Statusi i deputetit dhe Rregullorja do respektohet pikë për pikë. Dieta për grevën e urisë nuk mund të ketë. Mos sulmoni administratën e Kuvendit. Nuk mund të ketë dieta për grevën e urisë, pasi unë besoj se ka qenë grevë urie, apo nuk ka qenë?” - është shprehur Topalli.
Ruçi i bën thirrje Berishës: “Zhbllokoni krizën politike!”
PS-PD nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për krizën në seancë parlamentare
Sot përfundon afati 2-javor i vënë nga përfaqësuesit e lartë të BE-së
Gjatë seancës së djeshme parlamentare, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të zhbllokojë situatën politike në vend dhe të japë kompromisin për zgjidhjen e krizës në vend. Madje Ruçi u shpreh se nuk mund të ketë realizim të proceseve integruese të vendit në rast se nuk zhbllokohet kriza politike. Ai i kujtoi kryeministrit Berisha përfundimin e afatit prej dy javësh të vënë në dispozicion nga BE-ja për zgjidhjen e krizës nga dy forcat kryesore politike. Mandej kreu i deputetëve socialistë bëri një analizë të situatës në vend, ku vuri theksin te kriza ekonomike, mungesa e sigurisë dhe provokimi i qeverisë me sekuestrimin e shtëpisë së deputetit të PS-së, Dashamir Peza.
Qëndrimi
“E ndoqa me shumë interes fjalën e kryeministrit, pasi sot mbushen pikërisht 2 javë të lëna pas darkës në Strasburg për zgjidhjen e krizës politike në vend. Ju, zoti kryeministër, flisni për një ëndërr që lidhet me vizat dhe integrimin europian. Por shqetësimi ynë është se ju po e vrisni këtë ëndërr. Kushti i parë që të mos e vrisni këtë ëndërr është të plotësoni detyrat e shtëpisë që u janë kërkuar në Bruksel, si dhe të zhbllokoni zgjidhjen e krizës politike. Pa plotësuar këto dy kushte, ju jeni vrasësi i ëndrrës shqiptare”, - është shprehur Ruçi. Ai kundërshtoi fjalën e Berishës përsa i takon rritjes ekonomike të vendit, duke bërë të ditur se pensionistët, arsimtarët, të papunët në Shqipëri nuk kanë të ardhura të blejnë ushqimet ditore.
“Unë i blej vetë edhe domaten, edhe trangullin, edhe qepën, ndërsa ju, për shkak të detyrës, nuk e bëni dot këtë. Por e kuptoni ç’do të thotë kjo për një pensionist, për një të papunë, për një arsimtar? Është të tallesh. Ju tregoni treguesit tanë ekonomikë duke i krahasuar me vendet partnere të BE-së, kur familjet shqiptare mbajnë frymën gjallë me ato 100 euro që i dërgojnë në muaj djemtë dhe vajzat emigrante”, - është shprehur Ruçi. Ai ngriti më tej shqetësimin e mungesës së sigurisë në vend, ku çdo ditë humbin fëmijë dhe vriten të rinj. “Përsa i përket sigurisë, çdo ditë po vriten nga 2-3 të rinj. Familja e vogëlushes së Kukësit po pret lajm nga ju, ndërsa ju, për ironi të fatit, po i thoni mos çani kokë se siguria është e madhe”, - është shprehur Ruçi. Ai gjithashtu akuzoi maxhorancën për mungesë alternativash dhe ofertash për bashkëpunim me opozitë. Përkundrazi, sipas Ruçit, strategjia e maxhorancës është antiopozitarizmi.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha përshëndeti vendimin për liberalizimin e vizave dhe i bëri thirrje opozitës të mos e bazojë opozitarizmin te antiberishizmi. “Vendosja e antiberishizmit përbën bardhezi shikimi që s’i shërben askujt. Ta shfrytëzojmë këtë parlament që të shtyjë përpara procesin e integrimit në BE”, - është shprehur Berisha.
Ministrat e Brendshëm të BE-së diskutojmë liberalizimin e vizave për Shqipërinë
Ministrat e Brendshëm europianë kanë diskutuar gjatë mesditës së djeshme mbi çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. “Mbi propozimin për kushtëzimin e vendimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën që prezantova, patëm diskutime mjaft të mira dhe natyrisht që Këshilli do t’i kthehet kësaj çështjeje sapo ne t’i kemi dërguar grupet përfundimtare të ekspertëve e ta kemi përpiluar vlerësimin tonë pas verës”, - ka deklaruar Sesilia Mallmstrom, komisionere për Çështjet e Brendshme. Ndërsa Alfredo Perez Rubalcaba, ministër i Brendshëm i Spanjës, është shprehur: “Këtë mëngjes nuk dëgjova ndonjë rezervë politike. Të gjithë ishin pro liberalizimit, megjithëse disa vende anëtare u shprehën se shpresonin që këto dy shtete kishin kohë mjaftueshëm për të përmbushur kushtet. Komisionerja na raportoi për situatën. Presidenca e Komisioni ndajnë të njëjtin mendim, se Shqipëria e Bosnja kanë bërë përpjekje e kanë ende një copë rrugë për të bërë. Por ne shpresojmë se ato do t’i përmbushin të gjitha kushtet nga vjeshta, në mënyrë që të konkludohet kënaqshëm me liberalizimin e vizave në momentin e duhur”.
Ministrat e Brendshëm europianë duket se nuk kanë rënë dakord me propozimin e Sllovenisë, që vendimi për heqjen e vizave të kalojë në shtator në Këshillin e parë Europian, që është ai i ministrave të Bujqësisë. “Të gjithë janë për liberalizimin e vizave, por disa vende anëtare janë më mosbesuese sepse dyshojnë që këto dy vende kanë kohë të mjaftueshme për t’i përmbushur objektivat që u kemi vënë në afatin e përcaktuar. Ne u kemi kërkuar atyre që të bëjnë përpjekje të mëdha për përmbushjen e kritereve në vjeshtë, e Komisioni dhe ne, këtë çështje do ta vëzhgojmë nga afër”, - ka shtuar ministri Rubalcaba. Një prej vendeve kryesore skeptike për liberalizimin e shpejtë të vizave më Shqipërinë e Bosnjën është Belgjika, vendi që përcakton axhendën e BE-së pas datës 1 korrik, sepse merr presidencën e radhës për 6-mujorin e dytë të këtij viti.
4 Qershor 2010