Gjinushi: “Ndryshimet e Rregullores së Kuvendit duhet të jenë konsensuale”
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, deklaroi se ndryshimet në Rregulloren e re të Parlamentit duhet të jenë konsensuale. Nismën e fundit të maxhorancës për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, Gjinushi e cilëson një akt të rëndë që synon kontrollin mbi Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, Partia Socialiste nuk duhet të bëhet pjesë. "Tani do të heqë votimin e fshehtë për emërimet, për të pushtuar përfundimisht edhe Gjykatën Kushtetuese. Partia Socialiste, në mënyrë absolute, nuk duhet të pajtohet me këtë", - tha Gjinushi. Sipas ish-kryetarit të Kuvendit, maxhoranca e ka ndryshuar Rregulloren në mënyrë të njëanshme për mënyrën e votimit. Ai përmendi rastin e mocioneve për shkarkimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli, si dhe me rastin për shkarkimin e kryeprokurorit Theodhori Sollaku. "Del shkarkimi i Sollakut, ndryshohet Rregullorja për shkarkim. Mbani mend historinë me bilbila. Kanë qenë 6 muaj protestë që vota e fshehtë bëhet me kuti, këta e hoqën fare, si për Sollakun, ashtu dhe për Jozefina Topallin", - u shpreh Gjinushi. Kreu i PSD-së tha se gjatë qeverisjes së të majtëve, ndryshimet në Rregullore kanë qenë konsensuale. "Rregullorja, edhe në shkurt të vitit 1998 është ndryshuar për të rritur pushtetin e opozitës, bile atëherë janë futur dhe komisionet hetimore. Pastaj u fut në Kushtetutë, është bërë me konsensus. Ishte periudha intensive e bojkoteve të PD-së. Dhe e fundit është bërë përsëri me konsensus", - u shpreh Gjinushi. Këto veprime të maxhorancës, sipas zotit Gjinushi, e acarojnë edhe më tej situatën politike në vend, duke mbyllur kështu mundësinë për dialog.
4 Qershor 2010