E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: “Berisha të pranojë kompromisin në tavolinë për transparencën”

Deputeti: “Shtyrja e rezolutës së PE-së, një shans i dytë reflektimi për Berishën”

Eneida Jaçaj

Deputeti i Partisë Socialiste, Ditmir Bushati, i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha që të pranojë zgjidhjen që ka në tavolinë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Dy forcat politike, në zgjidhjen e ngërçit politik, ndahen vetëm në një pikë. Opozita kërkon hapjen e kutive që përmbajnë fletët e votimit, ndërsa maxhoranca, si objekt hetimi, parashtron në tryezë materialet zgjedhore, gjë që për opozitën nuk e realizon hetimin e plotë të zgjedhjeve të kaluara. Bushati e ka vënë theksin edhe në shtyrjen e miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këto kushte, ai nënvizoi se kryeministri Berisha duhet të pranojë kompromisin për transparencën e zgjedhjeve.
Deklarata
Deputeti Bushati shprehu shqetësimin se pavarësisht mbështetjes që ndërkombëtarët po i japin procesit të liberalizimit të vizave, kryeministri Berisha është ai që po e pengon këtë proces të rëndësishëm për shqiptarët. “Partia Socialiste përshëndet rikonfirmimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor nga takimi i Sarajevës. Ne vlerësojmë gjithashtu mbështetjen e Bashkimit Europian për ndërmarrjen e reformave që kanë të bëjnë me konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit si e vetmja mënyrë që garanton demokratizimin dhe europianizimin e Ballkanit Perëndimor. Ne falënderojmë partnerët europianë për mbështetjen e posaçme që po i japin procesit të liberalizimit të vizave dhe procesit të kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por shprehim shqetësimin tonë për pengesat që po i vë këtij procesi në vijimësi zoti Berisha”, - u shpreh Bushati. Partia Socialiste, shtyrjen e miratimit të rezolutës së Parlamentit Europian për ecurinë e progresit të Shqipërisë e ka konsideruar si një shans të dytë për reflektim që po i jepet kryeministrit. “Shpresojmë që ai të dijë ta shfrytëzojë këtë shans duke bërë hapa konkretë drejt kompromisit që garanton transparencën kushtetuese të zgjedhjeve të 28 qershorit”, - theksoi Bushati.
Vizat
Në vizionin e socialistëve, moszgjidhja e krizës politike mund të ndikojë edhe në liberalizimin e vizave. “Ne e çmojmë apelin e djeshëm të komisionerit për Zgjerimin, Shtefan Fyle për zgjidhjen e krizës politike përpara se propozimi i Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë të shqyrtohet nga Parlamenti Europian dhe vendet anëtare të Bashkimit Europian”, - tha Bushati. Në këtë kontekst, deputeti socialist nënvizoi se Partia Socialiste i ka bërë të gjitha hapat e saj duke pranuar kompromisin për hir të interesit të madh publik që edhe transparenca të bëhet, edhe vizat të liberalizohen, edhe kushtet për reformat e integrimit të krijohen.

4 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›