E Diel, 1 Nëntor 2026

BB, 12 milionë euro për një hidrocentral në Kukës

Ura e Lapave në zonën e thellë të Bushtricës në Kukës ndodhet rreth 30 kilometra larg qytetit, në një terren tepër të vështirë.

Kjo urë, e cila ndodhet në nyje të tre komunave, përkatësisht Bushtricë, Grykë e Çajës dhe Ujmisht, e njohur deri tani si nyja e mjerimit dhe aksidenteve rrugore, mund të quhet shumë shpejt “Ura e dritës”.

Një epitet të tillë e merr për shkak se në këmbët e saj po ndërtohet një hidrocentral, i cili pritet t’u kthejë banorëve të zonës jo vetëm energjinë elektrike, pothuajse të munguar prej kohësh, por edhe shpresën për të jetuar aty.

Tri komunat e përmendura, me një popullsi prej rreth 11 mijë banorësh, si dhe vetë qyteti i Kukësit, do të mund të furnizohen me dritë nga ky hidrocentral, i cili do të kushtojë 12 milionë euro.

Në hidrocentralin e Urës së Lapave është kryer deri tani rreth 46 për qind e punimeve dhe po punohet me ritme shumë të larta për realizimin e veprës në afatin e caktuar.

Kostoja totale e tij shkon në 12 milionë euro dhe përbën një veprat më të mëdha të këtij lloji të ndërtuar pas viteve ‘90 në Shqipëri.

Vepra është marrë me koncesion nga dy firma shqiptare, “Gjoka” dhe “Spahiu”, të cilat kanë krijuar së bashku kompaninë “Gjospa”.

Kujtim Gjoka, një nga bashkëpronarët, tregon se pas sigurimit të lejes së ndërtimit dhe lejes përkatëse nga qeveria, kanë marrë kredi tregtare nga Banka Botërore, kryesisht, si dhe disa borxhe të tjera për të ndërtuar veprën e parë të kësaj përmase në rajonin e Kukësit, që do ta shfrytëzojnë për një periudhë 35-vjeçare, aq sa është nënshkruar koncesioni.

Sa i përket afatit të përfundimit Gjoka shprehet: “Ne kemi në projekt një afat prej 22 muajsh, që do të thotë se e përfundojmë në janar të vitit 2010, por me ritmet e deritanishme kemi shanse për ta përfunduar brenda vitit 2009”. Ai sqaron ndër të tjera edhe marrëveshjet që janë nënshkruar tashmë për tregtimin e rrymës elektrike të prodhuar këtu.

“Ne do ta inkuadrojmë prodhimin tonë në sistemin qendror të energjisë”, thotë Gjoka, duke shtuar se një projekt për linjën 110 kilovolt nga Uza e Bakrit në Rexhepaj deri në Bushtricë, i financuar nga buxheti i shtetit, tashmë ka filluar.

Ky hidrocentral do të prodhojë rreth 12 megavolt në 24 orë dhe është llogaritur të mbulojë 40 për qind të nevojave të Rrethit të Kukësit me energji elektrike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›