Incesti, 2 vjet lidhje intime me kushërirën

Rasti i rëndë i incestit i ka ndodhur një familjeje nga Golemi, e cila banon në Tiranë. Babai i të dëmtuarës së kësaj lidhjeje, ka duruar për pak kohë dhimbjen për vajzën e tij, kur është vënë në dijeni të marrëdhënies, por nuk ka mundur të durojë largimin e saj nga shtëpia.
Në këto kushte, duke e ndjerë veten të turpëruar nga njerëzit e tij, ai ka marrë guximin dhe është paraqitur në polici.
Aty ka rrëfyer gjithë historinë e rëndë dhe ka kërkuar ndihmën e uniformave blu, t’i kthejnë vajzën në shtëpi, e cila ishte larguar bashkë me të afërmin e familjes, me të cilin kishte marrëdhënie intime.
E policia, jo vetëm që ka kthyer vajzën në shtëpinë e saj, por ka arrestuar edhe autorin e dyshuar për incest Xhemal L., duke ngritur ndaj tij akuzën e marrëdhënieve seksuale me “mbesën”.
Burimet policore bënë të ditur se paraditen e së dielës, në Komisariatin nr. 6 të kryeqytetit është paraqitur Musa L., i cili ka denoncuar rastin e marrëdhënieve të vajzës me një kushëri të dytë të saj.
Sipas të dhënave hetimore, ai ka deklaruar se vajza e tij, Nertila L. kishte marrëdhënie me Xhemal L.
Në denoncim, ai është shprehur se nga të dhënat që kishte mbledhur, për më tepër që ia kishte pranuar edhe vajza, kishte mbi dy vjet që ata të dy frekuentoheshin bashkë.
Babai i tmerruar ka treguar për policinë se që prej kohësh dyshonte se ajo kishte një të dashur, por duke qenë në moshë të rritur, aktualisht 21 vjeçe, nuk ishte interesuar shumë. Por, kohët e fundit kishte nisur të dyshonte dhe se kishte debatuar shpesh me vajzën e tij.
Ajo më në fund i ka treguar lidhjen, e për më tepër edhe personin. Këtë fakt, Musa L. nuk e ka duruar dot. Ai ka insistuar që vajza e tij mos të dilte më nga shtëpia.
Megjithatë, 21-vjeçarja ka gjetur momentin dhe është arratisur. Në këto kushte, Musai është detyruar të paraqitet në polici. Ai i është lutur uniformave blu që ta ndihmonin të gjente vajzën, duke marrë përsipër edhe pasojat.
Pas regjistrimit të këtij kallëzimi, policia ka nisur menjëherë punën për gjetjen e Xhemalit, i cili ishte larguar bashkë me “mbesën” e tij, me të cilën kryente rregullisht marrëdhënie intime.
Gjatë punës hetimore, policia është vënë në dijeni se ai fshihej në një banesë në fshatin Pezë. Kështu, forcat e komisariatit nr. 6 kanë shkuar në vendin e adresuar nga informatorët dhe kanë gjetur “çiftin”.
Ata janë shoqëruar të dy për në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe për disa orë janë marrë në pyetje. Policia ka deklaruar se ata e kanë pranuar krimin dhe kanë treguar se kishin dy vjet të lidhur, pa e ditur se çfarë pasojash do të kishin.
Në këto kushte, grupi i punës ka njoftuar seksionin kundër krimeve seksuale, i cili ka ngritur akuzë ndaj Xhemalit. Sipas të dhënave zyrtare, ai akuzohet për kryerje të marrëdhënieve seksuale me persona në gjini ose në kujdestari brenda familjes, ose e njohur ndryshe si incest.
Kështu në mesnatën e së dielës, duke u gdhirë e hënë, Xhemali 40-vjeçar është njohur me urdhrin e arrestit. Ndërkohë, 21-vjeçarja është lënë në kujdestari të babait të saj.
Sipas Kodit Penal, kryerja e marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale ndërmjet prindit dhe fëmijës, vëllait dhe motrës, ndërmjet vëllezërve, motrave, ndërmjet personave të tjerë, që janë gjini në vijë të drejtë, ose me persona që ndodhen në raporte kujdestarie, ose të birësimit, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.