Mungon uji, banorët peticion kryebashkiakut
GJIROKASTËR- Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm revolton banorët që jetojnë në pjesën e sipërme të lagjes Cfakë në qytetin e Gjirokastrës, të cilët i kërkojnë publikisht kryetarit të bashkisë, Flamur Bime, që të ndërhyjë me kompetencat që i jep ligji për të zgjidhur situatën alarmante. Sipas tyre, kjo situatë ka muaj që vazhdon dhe nuk është marrë asnjë masë për përmirësimin e saj. Kërkesa është bërë me anë të një peticioni dërguar kryebashkiakut të Gjirokastrës. “Kemi vendosur t’ju kërkojmë publikisht të ushtroni kompetencat që ju ka dhënë vota e popullit dhe ligji për t’i dhënë zgjidhje sa më parë një problemi e fenomeni sa abuzues aq edhe çnjerëzor”,- thuhet ndërmjet të tjerash në këtë peticion, i cili mban firmat e 20 familjeve. Sipas tyre, duke filluar nga mesi i muajit maj e deri tani kjo zonë vuan në tërësi mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm, i cili në rastin më të mirë vjen vetëm 30 minuta në ditë dhe në këtë kohë duhen vënë në përdorim pompat. Ndërkaq, ata akuzojnë ndërmarrjen e ujësjellësit, që sipas tyre ka lidhur marrëveshje të fshehtë me filialin e KESH-it në Gjirokastër për të ndërprerë energjinë elektrike në orarin e furnizimit me ujë. Madje banorët kërcënojnë se në rast mos marrjeje të masave, zgjidhja do të vijë nga vetë ata. “Nëse nuk gjeni zgjidhje të menjëhershme për këtë situatë e veprim të padrejtë kemi rrugë e mundësi të tjera për t’u treguar vartësve tuaj se ata nuk janë pronarë realë të qytetit e të shërbimeve jetike ndaj qytetarëve, nuk mund të privatizojnë e të keqpërdorin në mënyrë kanibaleske burimet jetike të një jete normale të ngritur me mund e sakrifica nga prindërit tanë”,- deklarojnë më tej banorët e lagjes Cfakë. Ndërkaq, burime nga ndërmarrja e ujësjellësit kanë bërë të ditur se po shikohet mundësia e zbatimit të një projekti në lidhje me shtrimin e një tubacioni të ri furnizimi, që do të bëjë të mundur përmirësimin e situatës.